Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Aktgjykimi lirues për Akil Gjakovën relativizon dhunën ndaj grave

QIKA 15.4.2026

QIKA konsideron se aktgjykimi lirues i Gjykatës Themelore në Pejë për Akil Gjakovën, i akuzuar për dhunë në familje, përbën dështim serioz të sistemit të drejtësisë në trajtimin e dhunës me bazë gjinore.

Prokuroria Themelore në Pejë ka ankimuar në Gjykatën e Apelit aktgjykimin lirues të datës 17 mars 2026, duke argumentuar se Gjykata e Pejës ka vërtetuar në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe ka shpallur prova të rëndësishme si të papranueshme pa asnjë bazë ligjore, si dhe ka anashkaluar deklaratat e viktimës dhe provat materiale që dëshmonin kryerjen e veprës penale.

Një nga arsyetimet kyçe të Gjykatës për lirimin ishte pretendimi se i akuzuari nuk ndodhej fizikisht në Kosovë në ditën kritike, më 13 prill 2024. QIKA rikujton se ushtrimi i dhunës nuk kushtëzohet nga prezenca fizike. Kontrollimi i vazhdueshëm i financave dhe ushtrimi i presionit për largim nga shtëpia përbëjnë forma të dhunës ekonomike dhe psikologjike. Një interpretim i tillë i ngushtë dhe i gabuar i ligjit përjashton përvojat e shumë grave që përjetojnë forma të dhunës që nuk ushtrohen edhe fizikisht.

Gjykatat kanë përgjegjësi jo vetëm ligjore, por edhe shoqërore, që të mos bëhen pjesë e ciklit të dhunës ndaj grave përmes vendimeve që e relativizojnë ose e minimizojnë atë.

QIKA thekson se drejtësia nuk duhet të jetë selektive, e as e ndikuar nga statusi shoqëror i të akuzuarve. Në veçanti, kur bëhet fjalë për figura publike, përgjegjësia institucionale duhet të jetë edhe më e lartë. Çdo rast i dhunës në familje duhet të trajtohet me seriozitet maksimal dhe me ndjeshmëri ndaj viktimës.

Aktgjykime të tilla liruese dërgojnë mesazh të rrezikshëm në shoqëri se ushtrimi i dhunës ndaj grave mund të kalojë pa pasoja. Ato njëkohësisht dekurajojnë gratë nga raportimi i dhunës dhe thellojnë, me të drejtë, mosbesimin në institucionet e drejtësisë.

QIKA kërkon nga Gjykata e Apelit që:

– ta anulojë aktgjykimin lirues;

– ta kthejë çështjen në rivendosje (rigjykim), duke vlerësuar gjendjen faktike dhe provat në mënyrë të drejtë dhe të paanshme;

– KGJK të iniciojë procedurë disiplinore ndaj gjyqtarit Shaqë Curri për trajtimin e këtij rasti.

QIKA kërkon nga Gjykata Themelore në Pejë që të mos i kontribuojë normalizimit të dhunës ndaj grave dhe të veprojë në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e mbrojtjes së viktimave.

Njëkohësisht, i bëjmë thirrje Federatës së Xhudos së Kosovës që të ndërpresë çdo formë të përfaqësimit të Kosovës nga Akil Gjakova, deri në një adresim të drejtë dhe të plotë të këtij rasti.