Në pothuajse çdo vend, të drejtat e grave po kërcënohen nga lufta, ndryshimet klimatike dhe politikat toksike. Natasha Walter argumenton për një lëvizje globale që shkon përtej fuqizimit individual.
Ekrani i telefonit tim ndizet. “E dashur, derisa po të shkruaj këtë mesazh tani, bombardimet po intensifikohen sërish. Zhurmat e shpërthimeve janë tmerruese. Fëmijët tanë janë të frikësuar”.
Mesazhi është shkruar nga Tayma, një grua e re që jeton në Bejrut, përderisa bombat izraelite godisnin qytetin e saj. Taymën e kam takuar kur isha në Liban më herët në pranverë. Kisha shkuar për të vizituar një qendër të drejtuar nga organizata bamirëse ‘Makani’, ku gratë që kishin ikur nga Siria drejt Libanit po përpiqeshin të rindërtonin jetën e tyre.
Qendra ndodhet në katin e dytë të një ndërtese të madhe në Corniche al-Mazraa, një rrugë e ngarkuar në qendër të Bejrutit, e mbushur me banesa, zyra, dyqane dhe kafene. Kur hyra brenda, zhurma e trafikut që vinte nga poshtë u zbeh dhe u zëvendësua nga një gumëzhimë të butë zërash dhe të qeshurash. Krahas edukimit dhe terapisë, gratë në qendër kryejnë punë artizanale, duke prodhuar punime të bukura me grep dhe qëndisje. Teksa gishtat e tyre lëvizin shpejt nëpër fije leshi shumëngjyrëshe ose qëndisin modele të gjalla mbi pëlhurë të trashë, ato bisedojnë me njëra-tjetrën.
Njëra prej grave, Fedwa, është 69 vjeçe. Ajo u largua nga shtëpia e saj në Siri në vitin 2012. Fedwa është e ve. Tre nga fëmijët e saj tani jetojnë në Evropë, njëri nga djemtë vdiq në Siri dhe një tjetër humbi jetën gjatë rrugëtimit drejt Evropës. Për një kohë të gjatë, ajo pranon se ndihej plotësisht e shkatërruar nga detyrimi për të braktisur vendin e saj dhe nga humbja e njerëzve të dashur. Por takimet me gra të tjera i ka rikthyer përveçse në njëfarë pavarësie ekonomike, por në një komunitet. “Këtu jam pjesë e një familjeje,” thotë ajo.
Tayma, vetëm 24 vjeçe, është koordinatore e qendrës; një figurë energjike që lëviz vazhdimisht, duke shtruar ushqimin, duke sistemuar fijet e qëndisjes dhe duke ma shpjeguar punën. Edhe ajo është refugjate nga Siria dhe është martuar në moshën 16-vjeçare pa e përfunduar arsimin. Fillimisht mori pjesë në një punëtori në qendër dhe më pas u bë pjesë e stafit. “Kjo punë më ka bërë të ndihem shumë krenare për veten,” thotë ajo. “Sinqerisht, nuk e shoh këtë vend vetëm si një punë. Kujdesem thellësisht për të dhe ndiej se edhe ky vend kujdeset për mua. Kjo është një ndjenjë e rrallë dhe shumë domethënëse”.
Kur u largova nga Libani, mora me vete një ndjenjë të fuqishme të qëndrueshmërisë së këtyre grave. Edhe pse ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Siri, ato po rindërtonin jo vetëm strehën fizike, por edhe emocionin e të qenit në shtëpi, e cila mbështetet në një ndjenjë të rrallë dhe shumë domethënëse”, siç e quajti Tayma, të kujdesesh për të tjerët dhe të ndihesh e përkujdesur.
Prandaj u trondita kur, vetëm pak javë pas vizitës sime, fillova të marr mesazhe nga Tayma dhe Fedwa për bomba dhe evakuime, në vend të bisedave për punimet me grep dhe qëndisje.
Bombardimet e fundit izraelite në Liban janë kryer me qëllimin e deklaruar për të neutralizuar Hezbollah-un, grupin e armatosur të mbështetur nga Irani, i themeluar si përgjigje ndaj një pushtimi të mëhershëm izraelit dhe që sot është i përkushtuar ndaj shkatërrimit të Izraelit. Por, ashtu si në Rripin e Gazës, sulmet izraelite shpesh kanë tejkaluar në masë të madhe objektivat ushtarake. Fshatra të tëra janë rrafshuar dhe janë lëshuar urdhra për evakuim masiv.
Derisa bombat binin, qendra u mbyll, qëndisja u ndërpre dhe shumë nga gratë që kishin ardhur fillimisht në Bejrut si refugjate u detyruan të zhvendoseshin sërish. Fedwa më tregon se disa prej grave fjetën në plazhe dhe në rrugë, ndërsa disa madje u kthyen në Siri. Por shtëpia e vjetër e Fedwës në Damask ishte shkatërruar prej kohësh dhe ajo vendosi se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të qëndronte në Bejrut, në kampin e mbipopulluar të refugjatëve Shatila Refugee Camp. “I dëgjoj bombardimet. Por nuk kam ku tjetër të shkoj”, thotë ajo.
Në prill, edhe vetë Corniche al-Mazraa u godit. Tayma më dërgoi një video ku shihej tymi që ngrihej nga një ndërtesë në shembje; një bombë kishte rënë vetëm pak metra larg qendrës.
Duke lexuar mesazhet e grave gjatë javëve të fundit, kam ndier tmerr, por edhe zemërim. Në raportimet mediatike për luftën në Lindjen e Mesme, vazhdimisht na kërkohet të përqendrohemi te motivet dhe ambiciet e burrave të pushtetshëm. Titull pas titulli shkruan se sa të suksesshëm janë ata në përkuljen e botës sipas dëshirave të tyre: “Benjamin Netanyahu duket se do të jetë humbësi më i madh”, thotë njëri. “Pse Vladimir Putin është fituesi më i madh”, thotë një tjetër. Ose “Miratimi për Donald Trump bie”, ose “Lufta me Iranin ka qenë e mirë për Keir Starmer”.
Por pasojat e luftës mbi gratë që detyrohen të ikin ose të përballojnë bombardimet, duke parë shtëpitë dhe punët e tyre të shkatërruara, familjet e copëtuara dhe fëmijët që qajnë, shumë shpesh injorohen ose reduktohen në imazhe në ekranin e telefonit, teksa ne vazhdojmë të lëvizim pa u ndalur.
Gjatë 20 viteve të fundit, kam punuar me gra refugjate, aktualisht me Makani në Liban, dhe më parë me organizatën Women for Refugee Women, të cilën e themelova gati 20 vjet më parë, dhe mendoj se kjo punë më ka dhënë një kuptim shumë më të thellë të rreziqeve me të cilat përballen gratë. Ajo më ka dhënë gjithashtu, besoj, një ndjeshmëri për të kuptuar se ku mund të gjendet ende shpresa.
Për të nisur me rreziqet: ato janë reale dhe po rriten. Edhe para konfliktit më të fundit në Lindjen e Mesme, dy vitet e fundit kanë qenë më të rrezikshmet për sa i përket konflikteve të armatosura që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Në shumë prej këtyre konflikteve, civilët po shënjestrohen drejtpërdrejt ose ushtritë po tregojnë shpërfillje të plotë ndaj vuajtjeve të tyre, dhe këta civilë janë shumë shpesh gra.
Vajza në shkollë, gazetare, punonjëse spitalesh, njerëz të zhvendosur, gra të zakonshme, të cilave ua shohim arkivolet, lexojmë dëshmitë e dëshmitarëve dhe megjithatë, herë pas here, nuk ka hetime dhe drejtësia nuk arrihet. Ëndrra e pasluftës e shekullit XX, se e drejta ndërkombëtare mund të ndihmonte në krijimin e një bote më të sigurt, sot duket se ka rënë në hi.
Përderisa bota po bëhet më e rrezikshme, qeveritë autoritare po bëhen më tërheqëse, sepse “burrat e fortë” shihen si përgjigjja e domosdoshme ndaj pasigurisë në rritje. Kështu hyjmë në një cikël gjithnjë e më shtrëngues, një lloj mbytjeje, ku forca bëhet njëkohësisht edhe pyetja, edhe përgjigjja. Të gjitha qeveritë autoritare i cenojnë të drejtat dhe liritë e grave dhe, nga një vend në tjetrin, drejtimi i zhvillimeve për të drejtat e grave po shkon prapa. Ka dallime reale në shkallën e shtypjes së grave nga qeveri të ndryshme në mbarë botën, duke filluar nga aparteidi gjinor ekstrem në Arabinë Saudite dhe Afganistan, deri te qeveritë që përpiqen t’i kufizojnë liritë e grave në mënyra më të fshehta.
Por, nga Rusia në Kinë, nga Turqia në Argjentinë, nga Iraku në Korenë Jugore, problemet për gratë po shtohen, kurse zërat kundërshtues po heshten, të drejtat riprodhuese po kufizohen dhe dhuna mbetet e pandëshkuar.
Në mbarë botën, po shohim se burimet po zhvendosen nga kujdesi te konflikti, nga mirëqenia te armët. Në vitin 2025, kërkesa për buxhetin e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vitin 2026 u rrit për më shumë se 13%, duke arritur pothuajse në 1 trilion dollarë. Në të njëjtën kohë, miliarda dollarë janë shkurtuar nga shërbimet shëndetësore dhe nga programet e ndihmës ushqimore për amerikanët me të ardhura të ulëta, kurse të paktën 80% e ndihmës së jashtme amerikane është reduktuar. Gratë preken veçanërisht nga shkurtimet në programet shëndetësore dhe sociale, prandaj politika e dhunës ka pasoja zinxhirore edhe në shoqëritë ‘paqësore’. Vetëm javën e kaluar, drejtuesi i United Nations Development Programme paralajmëroi se rritja e borxhit si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme po i godet veçanërisht gratë në mbarë botën, ndërsa shpenzimet sociale po reduktohen drejt minimumit.
Një tjetër gjë që më ka mësuar puna me gratë refugjate është të mos e nënvlerësoj kurrë përmasën e luftës tjetër kundër grave, jo luftën e ushtrive dhe bombave, por luftën e dhunës personale.
Çdo grua refugjate që kam takuar mbart me vete një histori të tillë dhune; nga ngacmimi dhe sulmi, deri te brutaliteti ekstrem dhe tortura seksuale. Vitet e fundit na kanë mësuar se kjo epidemi dhune nuk kufizohet në një vend apo kulturë të vetme, nga një qytet i vogël në ndonjë provincë deri te një ishull luksoz i përdorur si strehë për të pasurit, burrat vazhdojnë të shfrytëzojnë trupat e grave në mbarë botën.
Kjo ndjenjë e përhapur e së drejtës që burrat mendojnë se kanë mbi trupat e grave po përkeqësohet edhe më shumë nga rritja e mizogjinisë në internet. Dhe, megjithëse debati rreth ‘manosferës’ është intensifikuar ndjeshëm, mungesa e veprimit për ta adresuar atë vazhdon dhe do të vazhdojë për aq kohë sa ata që mbajnë pushtet dhe ndikim vazhdojnë të përfitojnë financiarisht nga këto rrjete të urrejtjes.
Gjatë hulumtimit për librin tim të ri, “Feminism for a World on Fire”, ky ishte realiteti që e dija se duhej ta pasqyroja: mënyra se si të gjitha rreziqet me të cilat përballen gratë sot janë të ndërlidhura. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me një konflikt apo një vend të vetëm. Kjo mizogjini që ndryshon vazhdimisht është jashtëzakonisht e vështirë për t’u përkufizuar, por pasojat e saj ndihen nga gratë në mbarë botën, madje edhe nga ato prej nesh që jetojmë larg qendrave të konfliktit. Në një kohë kur historitë dhe imazhet kalojnë kufijtë kaq lehtë, gratë ndiejnë një shqetësim të thellë teksa shohin se bota përreth po bëhet gjithnjë e më armiqësore ndaj lirive tona, dhe se gra si ne, diku tjetër, jetojnë në frikë.
Për aq kohë sa sfidat për gratë po rriten në mbarë botën, kemi nevojë për një lëvizje të grave që të ngrihet në të njëjtën masë me to. Megjithatë, lloji i feminizmit që shpesh hasim në rrjedhën kryesore të debatit publik nuk arrin t’i lidhë këto kriza mes tyre. Shumë shpesh, diskutimet feministe përqendrohen vetëm te rrugëtimi individual i një gruaje drejt suksesit. Në vend që të shqyrtojmë se si mund t’i përballojmë këto beteja së bashku, një feminizëm që feston vetëm fuqizimin personal ia ngarkon secilës grua barrën për t’u bërë mjaftueshëm e shpejtë dhe e fortë për t’i shpëtuar vetë flakëve që po përhapen.
Madje, në këto kohë të rrezikshme, ekziston edhe një prirje për të ndërtuar mure dhe për t’u mbështetur te ndarjet. Gjithnjë e më shumë njerëz, burra dhe gra, fajësojnë të varfrit dhe të zhvendosurit, ndërsa shpërfillin komunitete dhe qytetërime të tëra. Kjo bën që gratë që ndodhen në vijën e parë të konflikteve dhe represionit, vetë gratë refugjate, të bëhen të padukshme dhe të trajtohen si të konsumueshme. Gjatë 20 viteve të fundit, politikat dhe ligjet kundër lëvizjes së njerëzve janë bërë gjithnjë e më të ashpra, kufijtë janë militarizuar më shumë dhe është bërë gjithnjë e më e vështirë që gratë e zhvendosura të gjejnë siguri dhe komunitet.
Por, në të njëjtën kohë që rreziku dhe ndarjet po shtohen, ka edhe shumë gra që po ndjekin rrugë krejtësisht të tjera. Ndërsa shkruaja librin tim të ri, u befasova vazhdimisht nga qëndrueshmëria dhe rezistenca e grave në çdo vend, të cilat punojnë së bashku për të ndërtuar alternativa frymëzuese. Ka gra që punojnë për të siguruar drejtësi për dhunën, gra që angazhohen për rregullimin e përmbajtjeve ekstremiste, gra që mbështesin të mbijetuarat, gra që luftojnë pabarazinë, gra që përpiqen të rindërtojnë demokracinë dhe gra që bëjnë zërin e tyre të dëgjohet në çdo cep të botës.
Kjo rezistencë nuk ka të bëjë vetëm me slogane dhe protesta, me thirrje dhe zemërim, megjithëse ato mbeten thelbësore. Ajo ka të bëjë gjithashtu me lidhjen dhe kujdesin, me ndërtimin dhe rindërtimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve përballë atyre që përpiqen t’i shkatërrojnë ato.
Ditën kur bombat pushuan së rëni mbi Beirut, Tayma u kthye në qendër. Ajo dhe koleget e saj pastruan dyshemenë, sistemuan materialet për një projekt të ri për prodhimin e sapunit, telefonuan gratë që ishin zhvendosur, shpërndanë ndihma financiare për të përmbushur nevojat urgjente dhe diskutuan se kur mund ta rifillonin punën me grep.
Kur e pyeta nëse ishte e sigurt të kthehej në punë, Tayma më kujtoi sa e rëndësishme ishte kjo, teksa shprehet se “gratë i harrojnë shqetësimet e tyre kur janë këtu. Ato e konsiderojnë qendrën si shtëpinë dhe familjen e tyre të dytë dhe janë shumë krenare që punojnë me ne.” Kudo në botë, gratë i përvishen punës, pastrojnë rrëmujën dhe kujdesen për mbijetesën e njerëzve. Gjatë kohës kur burrat e pushtetshëm lëvizin shpejt dhe shkatërrojnë gjëra, gratë e zakonshme veprojnë me durim dhe ndihmojnë në ndërtimin e komunitetit.
Kjo lloj pune e ngadaltë dhe e butë shpesh anashkalohet kur mendojmë për ndryshimet që duam të shohim në botë. Por, në të vërtetë, nuk ka asgjë të pazakontë në qendrën që vizitova në Beirut. Nuk mu desh të shkoja në Liban për të përjetuar këtë lloj rezistence të bazuar në lidhje dhe jo në ndarje. Në vendin tim, vizitoj shpesh një qendër për refugjatë në perëndim të Londrës, ku çdo ditë fqinjët dhe migrantët ulen dhe hanë së bashku. Gjithashtu, bëj punë vullnetare në një pemëtore komunitare që një mike e ka ngritur pranë një shkolle lokale.
Njerëzit që punojnë në këto vende marrin pjesë në fushata për ndryshim politik, por në të njëjtën kohë investojnë kohën dhe energjinë e tyre për të kultivuar farat e një bote më të butë. E di sa rraskapitëse mund të jetë të jesh pjesë e projekteve që përpiqen të ndërtojnë komunitete, ndërkohë që kudo burrat e pushtetshëm janë të përqendruar në shkatërrim. Por puna vazhdon dhe na kujton se politika jonë duhet të rindërtohet duke e vendosur në qendër frymën e kujdesit dhe të lidhjes njerëzore.
“Shpresoj që paqja të mbizotërojë,” më thotë Tayma një javë pasi bombat pushuan së rëni, teksa shton se ne duhet të vazhdojmë të punojmë.
Natasha Walter
Përktheu: Anita Vllahiu
Artikullin e plotë mund ta gjeni këtu.