Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Aktivistët paralajmërojnë se talibanët po legalizojnë martesat e hershme

QIKA 17.6.2026

Një ligj i ri i miratuar nga talibanët në Afganistan po interpretohet nga aktivistët atje si njohje ligjore e martesave të fëmijëve. Ky ligj po ashtu pothuajse e pamundëson divorcin që e kërkojnë gratë dhe vajzat, nëse bashkëshortët e tyre nuk bien dakord.

Aktualisht, nën regjimin taliban, nuk ekziston asnjë ndalim për martesën e fëmijëve. Por ligji i ri për divorcin, i miratuar javën e kaluar, sugjeron se edhe nëse një vajzë deklaron më vonë se është martuar kundër dëshirës së saj, ajo nuk mund të divorcohet nëse burri i saj nuk pranon, raporton The Guardian.

Nuk ka statistika zyrtare për martesat e detyruara apo ato nën moshë në Afganistan, por aktivistët thonë se numri i tyre është rritur në mënyrë alarmante vitet e fundit. Një nga arsyet kryesore është ndalimi që talibanët u kanë bërë vajzave për të vazhduar arsimin pas moshës 11-vjeçare.

Sipas një vlerësimi jozyrtar, që kur vajzave iu ndalua shkollimi, rreth 70% e tyre janë shtyrë drejt martesave të hershme ose të detyruara, ndërsa 66% e këtyre martesave përfshijnë vajza nën moshën 18-vjeçare.

Këtë javë janë raportuar protesta në kryeqytetin afgan, Kabul, ku disa lëvizje për të drejtat e grave e kanë dënuar këtë ligj, duke e cilësuar si një formë të dhunës sistematike ndaj grave dhe fëmijëve.

“Pas qindra urdhrave kundër grave, talibanët tani po përpiqen të institucionalizojnë martesën e fëmijëve brenda strukturës zyrtare ligjore. Në vend që të sigurojnë drejtësi dhe siguri, ata janë të përqendruar në nxjerrjen e dekreteve mizogjene dhe shtypjen e lirive njerëzore”, deklaroi një nga protestueset.

Edhe United Nations Assistance Mission in Afghanistan (UNAMA) shprehu shqetësim për ligjin e ri. “Ky dekret, që përcakton rregullat për ndarjen e bashkëshortëve, përfaqëson një tjetër hap në shkatërrimin e të drejtave të grave dhe vajzave afgane dhe e forcon diskriminimin sistematik në ligj dhe praktikë.”

Studime të fundit nga Afghanistan Human Rights Center tregojnë se shumica e viktimave të martesave të fëmijëve në vend raportojnë dhunë në familje dhe probleme serioze psikologjike.

Abdul Ahad Farzam nga Komisioni i Pavarur për të Drejtat e Njeriut në Afganistan deklaroi: “Kodi i ri i Talibanëve dhe qasja që e shoqëron legalizojnë martesën e fëmijëve, kufizojnë parimin e pëlqimit të lirë në martesë dhe, në disa raste, ua heqin grave plotësisht këtë të drejtë. Ai forcon strukturat patriarkale dhe i vendos gratë në një pozitë vartëse dhe të pabarabartë para ligjit.”