Alb Eng
Për QIKA 1≠1

“Kingat” nuk i tmerron seksi. I tmerron liria.

Medinë Dauti 17.6.2026

Turmat e burrave po përdorin moralin për t’i kontrolluar trupat, dëshirën dhe lirinë e grave.

Armata e burrave që po organizohet në “AlbKings” dhe “Discord”, kinse për t’i ekspozuar “gratë e degjeneruara”, nxjerr në pah një nga kontradiktat më të mëdha morale të kësaj kohe. Këta burra ende nuk e kanë kuptuar që gratë bëjnë seks. Gratë janë të lira ta përjetojnë seksualitetin e tyre si të duan dhe nuk i detyrohen askujt për arsyetim.

Por nuk është risi që burrat tentojnë ta kontrollojnë seksualitetin e grave.

Në fakt, seksualiteti i grave ka qenë historikisht një nga çështjet kryesore ku janë prodhuar dhe ruajtur marrëdhëniet e pushtetit. Debati nuk ka qenë kurrë vetëm për seksin. Ka qenë për kontrollin. Për të drejtën e grave për të vendosur mbi trupat e tyre, dëshirat e tyre dhe mënyrën se si e jetojnë intimitetin. Pikërisht për këtë arsye, sa herë që gratë kanë fituar më shumë autonomi seksuale, reagimi ka qenë pothuajse gjithmonë moralizues, ndëshkues dhe disiplinues.

Që nga Kodi i Hamurabit, i cili e trajtonte seksualitetin e grave si pronë që duhet ruajtur, e deri sot, ligjet kanë qenë jashtëzakonisht kreative kur bëhet fjalë për ndëshkimin e grave për seks. Pra, kontrolli nuk ka qenë vetëm kulturor, por edhe i institucionalizuar.

Virgjëresha Mari mbeti shtatzënë pa marrëdhënie seksuale – një nga shembujt më të qartë të fantazisë patriarkale, ku një grua nuk mund të bëhej nënë nëse kishte marrëdhënie jashtë martesës. Prandaj duhej një shpjegim mbinjerëzor që kjo të ndodhte.

Gjatë gjuetisë së shtrigave, burrat vranë gratë që nuk i kontrollonin dot – të pavarurat, të padëgjueshmet, ato që dinin për trupin e tyre – dhe më pas e quajtën këtë “luftë kundër së keqes”, kur në fakt ishte panik ndaj grave që nuk nënshtroheshin.

Ndërkohë, doktrina e coverture e bënte gruan praktikisht pronë të burrit, sepse për patriarkatin martesa nuk ka qenë kurrë rreth dashurisë, por një kontratë kontrolli mbi trupin dhe jetën e grave.

Koncepti i “histerisë femërore” në shekullin XIX e shndërroi dëshirën apo mosbindjen e grave në sëmundje, duke patologjizuar seksualitetin e tyre dhe duke e justifikuar kontrollin si “trajtim”. Edhe diskurset psikiatrike dhe psikoanalitike të kohës kontribuuan në ndarjen e grave në kategori të pranueshme dhe të papranueshme seksualisht, duke e paraqitur dëshirën femërore si problem që duhej menaxhuar ose korrigjuar.

Këto nuk janë episode të shkëputura historike. Janë forma të ndryshme të të njëjtit mekanizëm. Në periudha të ndryshme, patriarkati ka përdorur ligjin, fenë, shkencën, familjen dhe moralin publik për ta mbajtur seksualitetin e grave nën mbikëqyrje. Kanë ndryshuar institucionet dhe gjuhët e përdorura për ta justifikuar kontrollin, por jo vetë logjika e tij.

Kjo logjikë vazhdon edhe në shekullin XXI. Dallimi është se sot kontrolli nuk ushtrohet vetëm nga institucionet. Ai ushtrohet edhe nga turma. Grupet online si AlbKings apo Discord funksionojnë si hapësira ku burrat organizohen për të mbikëqyrur, gjykuar dhe ndëshkuar gratë që konsiderohen se kanë dalë jashtë normave të pranueshme. Ajo që dikur bëhej nga shteti, feja apo familja, sot po  bëhet edhe nga komunitete dixhitale që marrin mbi vete rolin e policëve të moralit.

Përveç këtyre materialeve, këta burra po shpërndajnë edhe të dhëna personale: emër, mbiemër, numër telefoni apo profile në rrjete sociale. Krejt kjo me qëllim përndjekjen, ngacmimin, presionin, shantazhin apo detyrimin seksual të viktimave, duke e shndërruar këtë në dhunë të organizuar.

Gratë dhe vajzat, të cilave po u shpërndahen këto materiale, në shumicën e rasteve i kanë dërguar ato te partnerët apo te persona me të cilët kanë qenë në komunikim. Këto nuk ishin të supozuara të jenë materiale publike, por pjesë e intimitetit të ndarë në besim.

Pikërisht ky besim është ai që shkelet. Personat që i marrin këto materiale i shpërndajnë më pas nëpër grupe, duke i ekspozuar gratë ndaj dhjetëra mijëra njerëzve që mund t’i kontaktojnë lirshëm. Pra, problemi nuk është dërgimi i fotografisë apo videos, por shkelja e pëlqimit dhe përdorimi i saj si mjet kontrolli dhe poshtërimi. Në momentin që një material intim shpërndahet pa pëlqimin e personit, ai pushon së qeni çështje seksualiteti dhe bëhet çështje pushteti. Intimiteti shndërrohet në armë, ndërsa turpi përdoret si mjet disiplinimi.

Cenimi i lirisë dhe privatësisë së tyre nxjerr në pah një dështim të thellë shoqëror dhe institucional në edukimin mbi seksualitetin dhe mbrojtjen e privatësisë.

Në këto grupe po tentohet të disiplinohen gratë dhe trupat e tyre. Mesazhi u drejtohet poashtu të gjitha grave të tjera që po e shohin këtë dhunë. Është një paralajmërim kolektiv: kjo mund t’ju ndodhë edhe juve nëse dilni jashtë kufijve që konsiderohen të pranueshëm. Pikërisht në këtë mënyrë funksionon kontrolli social.

Sepse gratë janë gjithmonë gabim. Nuk duhet të jenë shumë seksuale, por as shumë të ftohta. Nuk duhet të jenë shumë të lira, por vetëm aq sa “u ka hije”. Ato duhet të qëndrojnë në një ekuilibër që është i pamundur.

Ato janë gjithmonë nën vëzhgim. Gjithmonë në rrezik për të dështuar.

Siç e ka formuluar Judith Butler, gjinia nuk jetohet në vakum, por nën presion të vazhdueshëm. Ekzistojnë rregulla të pashkruara për atë se çfarë është një grua “ideale”, dhe gruaja nuk mund t’i përmbushë kurrë plotësisht ato. Sepse sistemi është ndërtuar në mënyrë që ajo të mbetet vazhdimisht e ekspozuar ndaj korrigjimit.

Dhe pikërisht kur ato nuk binden, kur nuk korrigjohen, shpërthen paniku moral. Në këtë rast, paniku rreth seksualitetit të grave. Jo sepse gratë “janë degjeneruar”, por sepse ato po refuzojnë bindjen. Paniku moral nuk lind domosdoshmërisht kur rrezikohet rendi shoqëror. Shpesh ai lind kur grupet që gëzojnë pushtet ndjejnë se po humbin kontrollin mbi normat që kanë përcaktuar vetë. Në këtë rast, paniku nuk ka të bëjë me seksin. Ka të bëjë me gratë që po refuzojnë ta jetojnë seksualitetin e tyre sipas rregullave të vendosura nga burrat.

Një grua që nuk e sheh veten përmes syrit ndëshkues të të tjerëve e çan rendin. Një grua që nuk kërkon falje për dëshirën e vet e prish moralin mbi të cilin është ndërtuar kontrolli. Një grua që nuk e bart turpin si detyrë po refuzon një nga mekanizmat më të vjetër të patriarkatit. Sepse turpi nuk funksionon vetëm si emocion individual. Ai funksionon edhe si instrument kontrolli social. Përmes turpit, gratë mësohen ta monitorojnë vetveten, t’i kufizojnë dëshirat e tyre dhe të vetëdisiplinohen. Prandaj refuzimi i turpit nuk është vetëm akt personal. Është edhe akt politik.

Dhe ndoshta kjo është ajo që i tmerron më së shumti burrat. Jo një foto. Jo një video. Jo një akt seksual. Por mundësia që gratë të mos e ndjejnë më veten fajtore.

Sepse le ta themi qartë, gratë nuk janë problemi. Problemi janë burrat që organizohen kundër grave dhe një shoqëri që vazhdon t’u japë komoditetin për ta bërë këtë pa i humbur privilegjet morale. Problemi është një rend që vazhdon ta masë nderin e botës me trupin e grave, por kurrë me sjelljen e burrave.

Prandaj, nuk kemi nevojë t’u kujtojmë grave të kenë kujdes. Këtë ua kemi thënë gjithë jetën. Nuk kemi nevojë t’u mësojmë si të fshihen më mirë, si të ruhen më shumë, si të zvogëlojnë veten.

Për sa kohë që vazhdojmë të pyesim se çfarë duhej të kishte bërë gruaja ndryshe, po e fshehim pyetjen e vetme që ka rëndësi: pse burrat vazhdojnë të ndihen të autorizuar ta përdorin seksualitetin e grave si mjet ndëshkimi?

Dhe mbi të gjitha, kemi nevojë t’u themi grave diçka që kjo shoqëri është përpjekur t’ua marrë prej gojës: seksualiteti yt nuk është turp. Trupi yt nuk është mall publik. Dëshira jote nuk ka nevojë për arsyetim, dhe, liria jote nuk bëhet më pak legjitime vetëm pse burrat janë organizuar për të të ndëshkuar.

Nëse ata e kanë ndërtuar turmën e tyre mbi marren tonë, atëherë puna jonë nuk është të tkurremi. Është ta refuzojmë marren. Të çmontojmë gjuhën, moralin dhe pushtetin që e ka mbajtur këtë rend në këmbë deri sot.

Gratë në siguri përtej përfaqësimit

11.6.2026

Debati për gratë në institucionet e sigurisë artikulohet pothuajse gjithmonë rreth të njëjtit qëllim

Më mungon dikush që nuk e takova kurrë

9.6.2026

Ka dhimbje për të cilat flasim. Dhe ka të tjera që mbeten t

Ideologjia anti – gjinore  në diskursin e përditshëm në Kosovë

2.6.2026

Ekstremizmi i krahut të djathtë, një shqetësim në rritje anembanë Evropës, karakterizohet nga autori

Gratë, kujdesi dhe kufizimet e transportit

19.5.2026

Ideja e “udhëtimit” shpesh është shumë e thjeshtuar për të përshkruar atë që në të vërtetë e përbën

Shteti i familjes është shtet mbi kurrizin e grave

27.3.2026

Pas një bllokade të gjatë institucionale, Kuvendi e zgjodhi Qeverinë më 11 shkurt 2026. Një nga sinj

Përnimepauza

27.1.2026

Kish ardh koha për kontrollën rutinore të Llunës te veterinari. Në klinikë, mbërritëm me kerrin tem