Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Protesta masive në Argjentinë kundër rasteve të femicidit

QIKA 19.6.2026

Protesta të mëdha kanë shpërthyer në Argjentinë pasi trupat e dy vajzave adoleshente, të moshës 14 dhe 17 vjeç, u gjetën të vrara vetëm dy ditë larg njëra-tjetrës. Këto raste kanë rikthyer vëmendjen te numri i lartë i femicidit në vend, por edhe kanë nxitur debate të forta për vendimin e qeverisë së presidentit të djathtë ekstrem, Javier Milei, për të reduktuar mbështetjen shtetërore ndaj viktimave të dhunës me bazë gjinore.

Policia gjeti trupin e Agostina Vega, 14 vjeç, në një fushë pranë qytetit Córdoba. Sipas raportimeve lokale, ajo ishte mbytur dhe trupi i saj ishte copëtuar.

Barrelier u arrestua pasi një shofer taksie i tha policisë se kishte dërguar vajzën në një kryqëzim që përkonte me adresën e tij. Kamerat e sigurisë e filmuan Agostinën duke hyrë në shtëpi, por nuk ka pamje që tregojnë daljen e saj.

Mediat argjentinase raportojnë se Barrelier ishte përfshirë më parë në një proces gjyqësor në vitin 2025, i akuzuar për rrëmbimin e një gruaje, por ishte liruar me kusht pas 20 ditësh.

Vetëm pak ditë para këtij rasti, u gjet edhe trupi i Dulce Candia, 17 vjeç, brenda një depozite septike në një ndërtesë të braktisur në qytetin Eldorado, në provincën Misiones.

Policia arrestoi një burrë 47-vjeçar, të dyshuar për vrasjen. Drejtori i sigurisë së policisë së Misiones, Raúl Maslowski, deklaroi për mediat lokale se Dulce kishte qenë në një marrëdhënie romantike me të dyshuarin, i cili ishte 30 vite më i madh se ajo.

Këto dy vrasje ndodhën vetëm pak ditë para marshimit të përvitshëm feminist Ni Una Menos (“Asnjë grua më pak”), protestë kundër femicidit që mbahet tash e 11 vjet në Argjentinë.

Këtë vit, protesta po zhvillohet në një klimë politike të tensionuar, pasi administrata e presidentit Milei ka ndërmarrë masa për mbylljen e Ministrisë së Grave, Gjinisë dhe Diversitetit; largimin e mbështetjes financiare për gratë që largohen nga situata të dhunshme; si dhe propozimin për heqjen e veprës penale të femicidit nga Kodi Penal.

Sipas të dhënave të Gjykatës Supreme të Argjentinës, numri i rasteve të femicidit ka rënë nga 250 raste në vitin 2023 në 200 raste në vitin 2025.

Qeveria pretendon se reformat ekonomike kanë krijuar më shumë stabilitet dhe, si pasojë, ka rënë niveli i dhunës, pa pasur nevojë për ndërhyrje shtetërore.

Por organizatat feministe e kundërshtojnë këtë narrativë.

Lucía de la Vega, koordinatore për dhunën ndaj grave në organizatën për të drejtat e njeriut Center for Legal and Social Studies, deklaroi:

“Rënia që pretendon qeveria nuk është reale. Shumë raste thjesht nuk regjistrohen më si femicid.”

Ndërkohë, senatorja Carolina Losada, aleate e qeverisë, ka propozuar një projektligj që parashikon dënime më të ashpra për akuzat e rreme për përdhunim dhe krime seksuale.

Avokatja feministe Soledad Deza tha se tërheqja e mbështetjes për viktimat dhe diskursi publik aktual po e bëjnë edhe më të vështirë që gratë të kërkojnë drejtësi.

Ndërsa zemërimi publik për këto dy vrasje vazhdon, mediat raportuan edhe për një tjetër tragjedi pranë Buenos Aires.

Noelia Romero, 30 vjeç, kishte telefonuar policinë duke raportuar se partneri i saj, Tomás Adrián Núñez, po e mbante peng.

Policia mbërriti në vendngjarje, por ndërsa oficerët pritën për orë të tëra autorizimin ligjor për të hyrë në banesë, Romeron e vranë.

Sipas mediave atje, i njëjti ishte denoncuar më parë për dhunë me bazë gjinore si nga Noelia, ashtu edhe nga një ish-partnere.