Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Aktivistja që kritikoi qeverinë e Somalisë dënohet me tre vite burg

QIKA 2.7.2026

Një gjykatë në Somali ka dënuar me tre vite burg 27-vjeçaren Sadia Moalim Ali, për shkak të kritikave publike ndaj qeverisë federale në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të ashpra nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe figura të rëndësishme politike në vend.

Ali, e diplomuar për infermieri, fillimisht u akuzua për fyerje ndaj institucioneve shtetërore dhe nxitje për kryerje krimi, por në fund u shpall fajtore vetëm për akuzën e parë.

Vendimi u morr më 25 qershor dhe u kritikua menjëherë nga aktivistët si thellësisht i padrejtë, politik dhe represiv.

Ajo kishte publikuar komente kritike në Facebook dhe TikTok kundër qeverisë federale të Somalisë, duke folur për papunësinë e lartë tek të rinjtë, rritjen e çmimeve të karburantit, si dhe duke denoncuar korrupsionin, nepotizmin dhe dëbimet e detyruara.

Dënimi i saj është kundërshtuar edhe nga figura të rëndësishme politike, përfshirë ish-presidentin e Somalisë, Sharif Sheikh Ahmed, si dhe organizata të shumta për të drejtat e njeriut.

Koalicioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Somali ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të saj, duke paralajmëruar se rasti përfaqëson sulm serioz ndaj lirisë së shprehjes dhe sinjalizon përkeqësimin e vazhdueshëm të situatës së të drejtave të njeriut në vend.

Organizatat e të drejtave të njeriut atje kanë ngritur në vazhdimësi shqetësimin se gratë aktiviste në Somali po përballen gjithnjë e më shumë me arrestime arbitrare, intimidim, sulme online dhe diskriminim gjinor, veçanërisht kur angazhohen në çështje sociale e politike, shkruan The Guardian.

Nga burgu, në një intervistë të dhënë gjatë muajit maj, Ali pati deklaruar se gjatë paraburgimit është torturuar nga forcat e sigurisë. Sipas dëshmisë së saj, ajo është rrahur nga gardianët, është mbajtur në izolim për dy ditë, është privuar nga ushqimi dhe nevojat bazë, ndërsa ka deklaruar gjithashtu se është kërcënuar me dhunë seksuale nga zyrtarë policorë.

Sipas ligjeve ndërkombëtare dhe Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës, tortura ndalohet në çdo rrethanë dhe përbën shkelje serioze të të drejtave themelore të njeriut.

Që nga viti 2022, autoritetet somaleze janë përballur me akuza të vazhdueshme për shtypje sistematike ndaj aktivistëve, gazetarëve dhe qytetarëve që shprehin kritika ndaj institucioneve shtetërore, duke përdorur arrestimet arbitrare, kërcënimet dhe procedurat gjyqësore për të heshtur zërat kritikë.