Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjykata Supreme e SHBA-së u jep shteteve të drejtën të ndalojnë sportistet transgjinore në garat e vajzave

QIKA 3.7.2026

Gjykata Supreme e SHBA-së ka vendosur se shtetet mund t’i ndalojnë gratë transgjinore, një person i lindur si djalë por që identifikohet si grua, të garojnë në sportet e vajzave në shkolla dhe universitete.

Shtetet si Idaho dhe Virxhinia perëndimore kanë miratuar ligje që kërkojnë që ekipet sportive në shkolla dhe universitete publike të garojnë sipas seksit të regjistruar në lindje, raporton BBC.

Të nëntë gjyqtarët e Gjykatës Supreme ranë dakord se ndalimet nuk bien ndesh me Title IX, ligjin federal që ndalon diskriminimin mbi bazën e seksit në institucionet arsimore.

Megjithatë, gjykata u nda sipas vijave ideologjike lidhur me pyetjen nëse këto ndalime shkelin Amendamentin e 14-të të Kushtetutës, i cili garanton mbrojtje të barabartë para ligjit. Gjashtë gjyqtarët konservatorë vlerësuan se ndalimet janë kushtetuese, ndërsa tre gjyqtarët liberalë kundërshtuan këtë qëndrim.

Ligjvënësja e shtetit, Barbara Ehardt, e cila propozoi ligjin, deklaroi se ai do të siguronte që “djemtë dhe burrat të mos zënë vendin e vajzave dhe grave në sport, sepse kjo nuk është e drejtë.”

Organizata Human Rights Campaign (HRC), e cila mbron komunitetin LGBT+, e kritikoi vendimin. “Ky vendim është zemërthyes për sportistet transgjinore nxënëse, të cilat po detyrohen të qëndrojnë në bankinë vetëm për shkak të asaj që janë,” tha presidentja e HRC-së Kelley Robinson.

Presidenti Donald Trump e bëri çështjen e sportisteve transgjinore në sportet e vajzave një fokus të fushatës së tij për zgjedhjet e vitit 2024, dhe vitin e kaluar, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që synonte të ndalonte gratë transgjinore nga pjesëmarrja në ekipet sportive të vajzave në shkolla dhe universitete. Ku më pas, NCAA, organi drejtues i sporteve universitare në SHBA, ndaloi pjesëmarrjen e grave transgjinore në sportet e grave.

Kur International Olympic Committee (IOC) në mars njoftoi se do të kufizonte kategorinë e grave në sportet olimpike vetëm për gratë e lindura si gra biologjikisht, tha se grupi punues kishte shqyrtuar provat shkencore gjatë 18 muajve të fundit dhe kishte arritur në përfundimin se ekziston një “konsensus i qartë” që “grave transgjinore (të lindura si burra) i jep avantazh në performancë në të gjitha sportet që kërkojnë forcë dhe qëndrueshmëri.”

Nga ana tjetër, kundërshtarët e ndalimeve argumentojnë se ato diskriminojnë padrejtësisht nxënësit transgjinorë dhe e kundërshtojnë pretendimin se ekziston një konsensus shkencor që gratë dhe vajzat transgjinore kanë domosdoshmërisht një avantazh të lindur.