Sipas një studimi në Britani të Madhe, gratë me prejardhje afrikane dhe aziatike kanë më pak gjasa të marrin anestezi epidurale gjatë lindjes.
Gjetjet, të bazuara në të dhënat e më shumë se 2.7 milionë lindjeve në Mbretërinë e Bashkuar, kanë nxitur ekspertët të alarmohen për një hendek etnik në trajtimin e dhimbjes, i cili nënkupton se personat me ngjyrë kanë më shumë gjasa të mos marrin lehtësimin e duhur të dhimbjes në mjediset shëndetësore.
Studimi zbuloi se gratë me prejardhje nga Bangladeshi, Pakistani dhe Karaibet kishin më pak gjasa se gratë e bardha të merrnin anestezi epidurale gjatë lindjes vaginale. Konkretisht, ato kishin përkatësisht 24%, 15% dhe 8% më pak gjasa ta merrnin këtë formë të lehtësimit të dhimbjes, raporton the Guardian.
Ky studim vjen pas një raporti të publikuar këtë javë nga anëtarja e Dhomës së Lordëve dhe ish-diplomatja Valerie Amos, mbi kujdesin obstetrik në Mbretërinë e Bashkuar. Raporti evidentoi dështime të përhapura, përfshirë raste kur shqetësimet e grave shtatzëna u shpërfillën dhe vlerësimi i gjendjes së tyre u krye në mënyrë të papërshtatshme. Dokumenti prej 181 faqesh arriti në përfundimin se këto probleme lidhen pjesërisht me çështje më të thella dhe sistemike, si racizmi institucional.
Gjetjet pasojnë një sërë raportesh të ngjashme nga vende të tjera, përfshirë SHBA-në dhe Australinë, të cilat kanë dokumentuar raste të ngjashme të racizmit në trajtimin dhe kujdesin ndaj pacientëve.
Ky studim i shtohet një sërë gjetjesh që tregojnë pabarazi në kujdesin matern. Studime të tjera kanë raportuar se gratë me ngjyrë shpesh stereotipizohen nga personeli mjekësor si me “lëkurë të trashë” dhe si të afta të përballojnë dhimbjen, ndërsa nënat aziatike përshkruhen si “princesha” që janë “kërkuese” dhe të paafta për ta përballuar dhimbjen.
Bell Ribeiro-Addy, deputete e Partisë Labour dhe kryetare e grupit parlamentar ndërpartiak për shëndetin e nënave me ngjyrë tha se “Po hasim në raport pas raporti ku përshkruhet se si gratë me ngjyrë përjetojnë diskriminim, racizëm dhe kujdes të pabarabartë në shërbimet e maternitetit. Ne duhet të vendosim një kulturë më të fortë antiraciste në institucionet tona shëndetësore. Po ashtu, duhet të sigurojmë që nivelet e stafit dhe financimit të jenë të mjaftueshme për t’i ofruar çdo gruaje standardin më të lartë të kujdesit që ajo meriton.”
“Racizmi dhe diskriminimi nuk kanë absolutisht fare vend në NHS, dhe çdo grua shtatzënë duhet të dëgjohet dhe të përfshihet në vendimmarrje për lehtësimin e dhimbjes së saj”, tha Kate Brintworth, shefja e mamive në NHS England.