Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Globalisht po zbulohen rrjete online të burrave që organizojnë drogimin dhe përdhunimin e grave

QIKA 7.7.2026

Një operacion ndërkombëtar policor, i zhvilluar në shtatë shtete, ka zbuluar rrjete të organizuara të burrave që drogojnë dhe përdhunojnë partneret e tyre, duke përdorur grupe bisedash online për të koordinuar dhe inkurajuar sulmet.

Sipas Europol dhe National Crime Agency (NCA), në shumicën e rasteve viktimat janë gra që fillimisht i kanë droguar dhe më pas përdhunuar ose sulmuar seksualisht. Grupet online shërbejnë si hapësira ku këta burra organizojnë sulmet, shkëmbejnë informacione dhe publikojnë video e fotografi të abuzimeve.

Operacioni i përbashkët u nis nga autoritetet gjermane dhe britanike, me mbështetjen e forcave të rendit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brazili, Kanadaja, Franca, Hungaria, Holanda dhe Spanja, raporton CNN.

Shpesh, viktimat nuk e kuptojnë se janë sulmuar seksualisht derisa kontaktohen nga policia. Sipas NCA-së, kryerësit zakonisht janë persona që viktimat i njohin dhe u besojnë, ndërsa në disa raste sulmet kryhen nga disa persona që njihen mes vete.

Që nga nisja e bashkëpunimit policor ndërkufitar në prill, i quajtur Project Medusa, hetuesit evropianë kanë identifikuar më shumë se 150 kryes të sulmeve seksuale dhe viktima, si dhe kanë hapur mbi 270 hetime të reja hetimore, po ashtu, 57 persona janë arrestuar.

Por shkalla e vërtetë e këtyre krimeve dhe numri i viktimave nuk dihet dhe sipas NCA me shumë gjasë është e nënraportuar. “Sulmi seksual i kryer duke përdorur drogë nuk është më sjellje e izoluar, por gjithnjë e më shumë i organizuar, i kryer përmes rrjeteve të koordinuara dhe i mundësuar nga platformat digjitale, duke kërkuar një përgjigje më të sofistikuar operacionale”, tha Nigel Leary, zëvendësdrejtor në NCA.

“Sulmuesit synojnë t’i “objektivizojnë dhe çnjerëzojnë” viktimat e tyre, kurse në disa raste abuzimi zgjat me dekada. Ata përdorin shërbime të enkriptuara mesazhesh, forume dhe grupe të mbyllura bisedash për të shkëmbyer përvoja, për të normalizuar sjellje abuzive, për të lehtësuar tregtinë e paligjshme të barnave me recetë dhe narkotikëve, si dhe për të koordinuar veprime kriminale” tha Europol.

Në këto grupe online, burrat po shkëmbejnë informacione për barnat që duhet të përdoren, si të administrohen, si të shmanget zbulimi, si dhe kërkojnë e shpërndajnë video dhe fotografi të abuzimit.

Në mbarë Evropën, në vitet e fundit ka pasur disa arrestime dhe dënime të burrave që janë shpallur fajtorë për drogimin dhe përdhunimin e partnereve të tyre kur ato ishin të pavetëdijshme. Raste të tilla kanë ndodhur në Francë, Gjermani, Britani të Madhe, Kinë, dhe rasti i fundit në Poloni në prill të këtij viti.

Por ekspertët thonë se kryerësit e sulmeve seksuale vazhdojnë të evoluojnë mënyrat se si kryejnë abuzimet, duke i bërë më të vështira rastet për t’u dërguar në gjykatë. Po ashtu, policia paralajmëron se viktimat mund të jenë të çdo moshe, prejardhjeje sociale apo aftësie, dhe ka inkurajuar këdo që dyshon se ka qenë viktimë e sulmit seksual të lehtësuar nga droga të paraqitet dhe të raportojë rastin.