Alb Eng
Për QIKA 1≠1

KPM po ushqen seksizmin në media

QIKA 8.7.2026

Kemi pranuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) lidhur me ankesën e dorëzuar nga QIKA më 11 prill 2025 ndaj emisionit Kosova Today, në të cilin një burrë i dënuar për dhunë fizike dhe seksuale ndaj ish-bashkëshortes së tij ishte ftuar si mysafir për të diskutuar çështje krejtësisht private, pa asnjë interes publik. 

KPM, ani pse ka konstatuar se Klan Kosova ka shkelur Kodin e Etikës, ka shqiptuar vetëm sanksionin e vërejtjes. QIKA e konsideron këtë vendim joproporcional, pasi ai nuk pasqyron peshën e shkeljeve të konstatuara e as seriozitetin e dëmit që përmbajtje të tilla u shkaktojnë viktimave të dhunës me bazë gjinore. 

Veçanërisht problematike është se vendimi fokusohet dhe reduktohet kryesisht në disa raste të përdorimit të gjuhës vulgare dhe deklaratave që nxisin dhunë, ndërsa injoron thelbin e shkeljes: platformën që emisioni ia ka ofruar Feim Dragushës, për të cilin ekzistojnë raportime publike për dhunën e ushtruar ndaj ish-bashkëshortes, si dhe ka vendim nga Gjykata Federale e Zvicrrës, me të cilin është dëbuar nga atje. Përmes kësaj platforme, ai ka pasur mundësi të rehabilitojë imazhin e tij publik, ndërsa viktima është ekspozuar dhe denigruar para audiencës. 

QIKA i rikujton KPM-së se ky është precedent i vazhdueshëm i emisionit Kosova Today. Ne kemi dorëzuar në disa raste ankesa pranë KPM-së për përmbajtjet e këtij emisioni, i cili në mënyrë të përsëritur ka përdorur dhunën ndaj grave si mjet senzacioni.

Ani pse KPM kishte në dispozicion mekanizmat ligjorë për të shqiptuar masa më të ashpra dhe për t’iu përgjigjur këtij modeli të përsëritur të shkeljeve, ka zgjedhur masën më të lehtë të mundshme, duke i inkurajuar mediat të vazhdojnë të ndërtojnë platforma mizogjene, të përfitojnë nga përvojat e viktimave të dhunës dhe t’i riviktimizojnë gratë që kanë përjetuar dhunë. 

QIKA kërkon që KPM të ushtrojë plotësisht mandatin e vet dhe të vendosë standarde të qarta të llogaridhënies për mediat. Heshtja e shtetit përballë praktikave që cenojnë dinjitetin e grave është tolerim dhe shmangie nga përgjegjësia që institucionet kanë për ta mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e qytetarëve.