Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian ka vendosur se ligji i miratuar nga Hungaria në vitin 2021, i cili kufizon qasjen e fëmijëve dhe të rinjve në përmbajtje që lidhen me personat LGBTQ+, është në kundërshtim me të drejtën e Bashkimit Evropian në disa nivele.
Vendimi, i cilësuar si një nga rastet më të rëndësishme të të drejtave të njeriut në historinë e BE-së, erdhi pas padisë së ngritur nga Komisioni Evropian, e mbështetur nga 16 shtete anëtare dhe Parlamenti Evropian.
Ky ligj ishte prezantuar nga qeveria e ish-kryeministrit nacionalist Viktor Orban si një masë për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi seksual. Megjithatë, gjatë procesit të miratimit u shtua një dispozitë që ndalon “promovimin e homoseksualitetit” për personat nën moshën 18 vjeç.
Si pasojë e këtij ligji, u ndaluan librat, shfaqjet teatrore dhe filmat që trajtonin temat LGBTQ+. Kritikët e krahasuan atë me ligjin rus të vitit 2013 kundër të ashtuquajturës “propagandë homoseksuale”, duke argumentuar se stigmatizon personat LGBTQ+ dhe krijon një lidhje të padrejtë mes marrëdhënieve të të njëjtit seks dhe pedofilisë.
Megjithatë, qeveria e Orban vazhdoi ta ashpërsojë këtë qasje. Vitin e kaluar u miratuan ligje të reja dhe një ndryshim kushtetues që, në praktikë, ndaluan organizimin e Paradës së Krenarisë (Budapest Pride), me arsyetimin se duhej mbrojtur fëmijët nga “propaganda seksuale”.
Pavarësisht kësaj, rreth 100 mijë persona morën pjesë në paradë, duke sfiduar ndalimin.
Gjykata e Drejtësisë e BE-së konstatoi se legjislacioni hungarez shkel nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian, i cili garanton respektimin e dinjitetit njerëzor, barazisë, të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. Sipas vendimit, ligji cenon të drejtat e personave transgjinorë dhe të personave me orientim seksual jo-heteroseksual, duke krijuar trajtim diskriminues ndaj tyre, raporton Al Jazeera.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se legjislacioni “është në kundërshtim me vetë identitetin e Bashkimit Evropian si një rend juridik i përbashkët në një shoqëri ku mbizotëron pluralizmi”. Ajo theksoi gjithashtu se Hungaria nuk mund të përdorë identitetin e saj kombëtar si justifikim për të miratuar ligje që bien ndesh me vlerat themelore të Bashkimit Evropian.