Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

UNESCO: 2.4 milionë vajzave afgane po u mohohet qasja në arsimin e mesëm

QIKA 12.8.2026

Rreth 2.4 milionë vajza në Afganistan janë të privuara nga arsimi i mesëm, ka bërë të ditur agjencia kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, duke përsëritur thirrjen ndaj qeverisë talibane për t’i dhënë fund kufizimeve ndaj arsimimit të vajzave.

UNESCO tha të martën se numri i vajzave të privuara nga arsimi i mesëm në vend është rritur me 200 mijë krahasuar me shifrën e vitit të kaluar dhe mund të arrijë në afro 4 milionë deri në vitin 2030. Afganistani është i vetmi vend në botë ku vajzat dhe gratë nuk lejohen të ndjekin arsimin e mesëm dhe universitetet. Kjo është një nga kufizimet e shumta ndaj grave që kanë bërë që OKB-ja ta akuzojë vendin për “aparteid gjinor”, raporton Al Jazeera.

Vajzat u përjashtuan nga shkollat e mesme në mars të vitit 2022, ndërsa gratë u ndaluan të ndjekin universitetet në dhjetor të po atij viti, disa muaj pasi talibanët u rikthyen në pushtet.

Administrata talibane ndaloi gjithashtu gratë të japin mësim për djemtë, një masë që, sipas OKB-së, e ka privuar sistemin arsimor nga mësueset e kualifikuara dhe ka lënë djemtë me mësues burra të patrajnuar.

OKB-ja vëren se ndalimi i vajzave për t’u arsimuar i shtohet një sërë problemesh të tjera që rëndojnë mbi sistemin arsimor dhe ekonominë e Afganistanit.

Shumë shkolla përballen me mbipopullim dhe janë të pajisura dobët. Gati gjysma e shkollave nuk kanë ujë, kushte sanitare ose ngrohje, ndërsa fatkeqësitë natyrore kanë detyruar rreth 1 mijë shkolla të mbyllen gjatë pesë viteve të fundit.

Në nivelin e arsimit fillor, më shumë se 2 milionë fëmijë nuk ndjekin mësimin. 90% e fëmijëve 10 vjeçarë nuk janë në gjendje të lexojnë një tekst të thjeshtë, duke e ulur nivelin kombëtar të shkrim-leximit në 37%.

Qeveria talibane ka refuzuar thirrjet ndërkombëtare, përfshirë ato të disa qeverive me shumicë myslimane, për ta hequr ndalimin e arsimimit të vajzave, duke e cilësuar këtë politikë si një çështje të brendshme.