Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Mizogjinia si gjuhë e krizës politike 

QIKA 14.8.2026

Ditëve të fundit, teksa vendi po zhytet gjithnjë e më thellë në krizë politike dhe institucionale,  mizogjinia dhe gjuha seksiste janë intensifikuar si mjete për delegjitimimin, disiplinimin dhe përjashtimin e grave nga hapësira publike. Kriza politike nuk e krijoi mizogjininë; ajo vetëm e nxori më hapur në sipërfaqe një strukturë patriarkale të pushtetit që ka qenë gjithmonë aty, duke përcaktuar se kush mund të flasë, të vendosë dhe të njihet si autoritet politik. 

Nga hapësirat e Kuvendit (jofunksional) të Kosovës, te deklaratat e zyrtarëve publikë e drejtuesve të institucioneve, e deri te komentet në rrjete sociale, gratë vazhdojnë të sulmohen jo për punën, qëndrimet apo përgjegjësitë e tyre politike, por për dukjen, trupin, statusin martesor, moshën dhe jetën  private.

Këto sulme funksionojnë si mekanizma të pushtetit, përmes të cilave synohet që hapësira publike të bëhet edhe më armiqësore për gratë, të disiplinohet prania e tyre dhe të riprodhohet hierarkia gjinore sipas së cilës pushteti, autoriteti dhe vendimmarrja politike u përket burrave.

Prandaj, kjo gjuhë duhet të ndalet menjëherë.

QIKA u bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që, në vend se të sulmojnë gratë, të marrin përgjegjësinë politike që u takon, të përqendrohen në gjetjen e zgjidhjeve dhe të formojnë institucionet.