Një studim i ri global ka zbuluar se gratë raportojnë më shumë dhimbje se burrat në pjesë të ndryshme të trupit. Hulumtimi, i publikuar në Nature Medicine, analizoi të dhëna nga më shumë se 6 milionë njerëz në 118 vende, të mbledhura gjatë periudhës 1990-2025.
Pjesëmarrësit ishin nga mosha pesë vjeç deri në mbi 100 vjeç.
Studiuesit shqyrtuan dhimbjen në 11 zona të trupit dhe gjetën se gratë raportuan nivele më të larta dhimbjeje në të gjitha zonat e analizuara. Dallimi ishte veçanërisht i theksuar te dhimbjet e kokës, fytyrës dhe barkut, raporton the Guardian.
Rreth 40% e pjesëmarrësve raportuan dhimbje shpine, duke e bërë atë një nga format më të zakonshme të dhimbjes, ndërsa dhimbja e fytyrës ishte më e rralla, me rreth 2%.
Studimi tregoi se dhimbja rritet ndjeshëm para moshës 55 vjeçare, ndërsa format më të rënda të dhimbjes arrijnë kulmin në moshën e mesme dhe më pas fillojnë të zvogëlohen. Në përgjithësi dhimbja arrinte kulmin rreth moshës 70 vjeçare.
Megjithatë, jo të gjitha llojet e dhimbjes ndjekin të njëjtin model. Dhimbjet e kokës, barkut dhe fytyrës arrijnë kulmin më herët gjatë jetës dhe më pas zvogëlohen. Dhimbjet në qafë, shpatulla dhe bërryla arrijnë kulmin rreth moshës së mesme, ndërsa dhimbjet e shpinës, ijeve dhe gjunjëve vazhdojnë të rriten gjatë gjithë jetës.
Sipas autorëve, këto gjetje tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e barrës së dhimbjes zhvillohet gjatë moshës aktive në punë dhe se parandalimi dhe kujdesi duhet të përqendrohen në periudhat kur dhimbja është më e shpeshtë ose më e fortë.
Studimi gjeti se 18.3% e barrës globale të dhimbjes lidhej me tre faktorë: duhanpirjen, obezitetin dhe të ardhurat e ulëta familjare. Kjo shifër varionte nga 12.6% në Afrikën Sub-Sahariane deri në 27.1% në Evropën Lindore.
Rajonet me indeksin më të ulët të Zhvillimit Njerëzor kishin gjithashtu nivele më të larta të dhimbjes trupore në moshë të shtyrë.
Profesori Andrew Horne, nga Universiteti i Edinburgut, e përshkroi studimin si një hulumtim të rëndësishëm që tregon se gratë përjetojnë më shumë dhimbje se burrat në të gjitha zonat e trupit të analizuara.
Sipas tij, rezultatet janë dëshmi se “hendeku gjinor në dhimbje” është real, i qëndrueshëm dhe global. Ai theksoi se dhimbja e grave ende shpesh shpërfillet, studiohet më pak dhe nuk trajtohet pamjaftueshëm.
Edhe Rebeccah Slater, profesore e Neuroshkencës Pediatrike në Universitetin e Oksfordit, e cilësoi këtë si një paradoks shqetësues dhe se “gratë përjetojnë më shumë dhimbje, por dhimbja e tyre ka më shumë gjasa të shpërfillet, të diagnostikohet me vonesë ose të trajtohet në mënyrë të pamjaftueshme”, tha ajo.
Studiuesit theksojnë se marrja më serioze e dhimbjes së grave, analizimi i të dhënave sipas gjinisë dhe financimi i më shumë hulumtimeve mbi shkaqet biologjike dhe sociale mund të ndihmojnë në zhvillimin e trajtimeve më të përshtatshme për gratë.
Hulumtimin e plotë e gjeni këtu