Ministrja e Drejtësisë dhe Koordinatorja Nacionale për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore, Donika Gërvalla, pas pothuajse 24 orësh heshtjeje për rastin e Arlinda Zekajt, doli me deklarata skandaloze, duke zhvendosur përgjegjësinë nga institucionet te vetë viktima. Madje, duke lënë të kuptohet se Arlinda do të duhej t’i drejtohej Qeverisë për të marrë mbrojtje.
Arlinda ka trokitur në dyert e duhura. Ka kërkuar ndihmë nga institucionet që kishin për detyrë ta mbronin. Por të gjitha dyert iu mbyllën. Sistemi e braktisi, duke e lënë të pambrojtur përballë dhunës që përfundoi me vrasjen e saj.
Si Koordinatore Nacionale, Donika Gërvalla ka përgjegjësi ligjore për koordinimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikave kundër dhunës ndaj grave. Këto janë përgjegjësi që kërkojnë veprim dhe llogaridhënie.
Po ashtu, ndarja e pushteteve nuk është alibi për papërgjegjësinë politike. Gërvalla mund të mos ketë kompetencë të shkarkojë gjyqtarë e prokurorë, por ka përgjegjësi të monitorojë, të koordinojë dhe të kërkojë llogari. Nuk mund të heshtë përballë dështimit institucional e pastaj të dalë për t’ia lënë barrën viktimës.
Përgjegjësia nuk mund t’i faturohet viktimës. Ajo është politike dhe institucionale, dhe i takon një sistemi të tërë që dështoi dhe një pushteti politik që duhet të japë llogari.
Arlinda bëri atë që duhej. Institucionet nuk e bënë.
Donika Gërvalla, mos u kërko viktimave të trokasin në dyer të tjera. Jep llogari për dyert që shteti ua mbylli. Jep dorëheqje!