Sipas raportit vjetor të Kombeve të Bashkuara, njëzet vende të botës ende lejojnë përdhunuesit të martohen me viktimat e tyre. Kjo i lejon ata t’i shpëtojnë ndjekjes penale. Rusia, Tailanda dhe Venezuela janë disa nga vendet që lejojnë burrat t’iu ikin dënimeve për përdhunim nëse martohen me gruan ose vajzën që kanë sulmuar.
Natalia Kanem, drejtoreshë ekzekutive e Fondit të Popullsisë së KB, tha se ligje të tilla ishin “thellësisht të gabuara” dhe ishin “një mënyrë për të nënshtruar gratë”.
“Mohimi i të drejtave nuk mund të mbrohet me ligj. Ligjet e tipit ‘Martohu me përdhunuesin tënd’ zhvendosin barrën e fajit tek viktima dhe përpiqen të pastrojnë një situatë kriminale ”, tha Kanem.
Dima Dabbous, drejtor i Equality Noë në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës, hulumtimi i të cilit citohet në raportin e UNFPA, tha se ligjet pasqyrojnë një kulturë “që nuk mendon se gratë duhet të kenë autonomi trupore dhe se ato janë pronë e familjes. Është një qasje fisnore dhe e vjetërsuar ndaj seksualitetit dhe nderit”, raporton The Guardian.
Dabbous shtoi se është “shumë e vështirë të ndryshosh këto ligje por nuk është e pamundur”. Ajo tha se ligji në Marok u shfuqizua pas zemërimit të përhapur kur një grua e re vrau veten pasi u detyrua të martohej me përdhunuesin e saj. Jordania, Palestina, Libani dhe Tunizia ndoqën këtë shembull.
Sidoqoftë, Kuvajti ende lejon që një kryerës i krimit të martohet ligjërisht me viktimën e tij me lejen e kujdestarit të saj. Në Rusi, nëse kryesi i krimit është 18 vjeç dhe ka kryer përdhunim me një të mitur nën 16 vjeç, ai lirohet nga dënimi nëse martohet me viktimën.
Në Tajlandë, martesa mund të konsiderohet një zgjidhje për përdhunim nëse kryerësi është mbi 18 vjeç dhe viktima është mbi 15 vjeç, nëse ajo “jep pëlqimin” për veprën penale dhe nëse gjykata jep leje për martesë.
Ligjet dhe praktikat e martesës që i bëjnë gratë të varura janë të përhapura dhe janë të vështira për t’u çrrënjosur, tha UNFPA, e cila raportoi se 43 vende nuk kanë legjislacion që penalizon përdhunimin martesor.
Raporti i cili përqendrohet në autonominë trupore theksoi se gati gjysmës së grave (45%) në 57 vende u është mohuar e drejta për të vendosur se a dëshirojnë të kenë marrëdhënie seksuale me partnerin e tyre, për të përdorur kontraceptivë ose për të kërkuar kujdes shëndetësor.
Në Mali, Nigeri dhe Senegal situata është veçanërisht shqetësuese. Më pak se 1 në 10 gra marrin vetë vendimet e tyre në lidhje me kujdesin shëndetësor, kontracepsionin dhe seksin me partnerët e tyre.
Më shumë se 30 vende e kufizojnë lirinë e grave jashtë shtëpisë, ndërsa vajzat dhe djemtë me aftësi të kufizuara kanë gati tre herë më shumë gjasa që t’i nënshtrohen dhunës seksuale. Arsimi është çelësi për përmirësimin e autonomisë trupore, tha raporti, ndërsa ligjet duhet të ndryshohen dhe normat shoqërore duhet të bëhen më të ekuilibruara në aspektin gjinor.
“Mohimi i autonomisë trupore është një shkelje e të drejtave themelore të grave dhe vajzave që forcon pabarazitë dhe vazhdon dhunën që vjen nga diskriminimi gjinor,” tha Kanem. “Nuk është asgjë më pak sesa një asgjësim i shpirtit dhe kjo duhet të ndalet”.