Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Viktimat e përdhunimit në Azinë Jugore ende përballen me teste të virgjërisë

QIKA 23.4.2021

Raporti i fundit zbulon se testet e virgjërisë ende përdoren për të përcaktuar nëse gratë dhe vajzat janë përdhunuar në Indi, Nepal dhe Sri Lanka. Kjo praktikë mbetet e përhapur në të tre vendet dhe disa gjykata i referohen testit në gjykime, pavarësisht se nuk ka asnjë bazë shkencore dhe faktikisht në Indi është e ndaluar me ligj.

Divya Srinivasan, një avokat i të drejtave të njeriut me seli në Delhi dhe bashkëautor i raportit, e etiketoi testin si “një shkelje e të drejtave të njeriut”.

Sumeera Shrestha, drejtoreshë ekzekutive e organizatës nepaleze, Gratë për të Drejtat e Njeriut, shtoi: “Është poshtëruese dhe çnjerëzore. Nuk ka të bëjë vetëm me atë se a ndodhur përdhunimi, por është në fakt testim i virgjërisë.” Ajo tha se ekzaminimi u përdor nga autoritetet për të treguar se të mbijetuarit e përdhunimit ishin “të pamoralshme”, duke shtuar se, në kontekstin e Nepalit, kjo kishte të bënte me nocione të “nderit” dhe besimit se gratë dhe vajzat duhet të ishin “të pastra”.

Testi përfshin një praktikues mjekësor që fut dy gishta në vagjinën e një të mbijetuareje të përdhunimit në përpjekje për të përcaktuar nëse himeni është prishur si dhe për të provuar laksitetin në vagjinë. Nëse himeni është ende i paprekur, testi përdoret për të deklaruar se përdhunimi nuk mund të ketë ndodhur, edhe pse përdhunimi nuk e prishë domosdoshmërisht himenin.

Testi përdoret shpesh për të etiketuar viktimat si të mësuara me marrëdhënieve seksuale dhe poashtu përdoret si pjesë e provave për të hedhur dyshime mbi pretendimet e përdhunimit.

Pesë vende në rajon – Bangladeshi, Butani, Maldivet, Nepali dhe Sri Lanka – lejojnë përdorimin e kësaj praktike që detajon historinë seksuale të një të mbijetuareje të përdhunimit. Srinivasan tha se kjo ishte një praktikë nga kohërat koloniale. “Kodet penale në Sri Lanka dhe Bangladesh në mënyrë specifike thonë se në rastet e përdhunimit mund të përdoren prova të së kaluarës ” me karakter jo moral”, tha ajo.

Raporti, i cili përqendrohet në përvojat e grave në gjashtë vende të Azisë Jugore, deklaroi se testi vaginal me dy gishta ishte një nga shumë faktorë që e bën procesin e raportimit të përdhunimit dhe kërkimin e drejtësisë tepër të vështirë.