Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Facebook dhe Google kritikohen për reklamat për metodat e “ndërprerjes së efektit të tabletave kundër abortit”

QIKA 17.9.2021

Facebook ka shfaqur reklama të barnave që anulojnë efektin e pilulave të abortit. Sipas një raporti nga Qendra për Kundërvënien e Urrejtjes Dixhitale (CCDH) Facebook ka shfaqur këto reklama mbi 18.4 milion herë që nga janari 2020, duke promovuar kështu një procedurë “të pavërtetuar, joetike dhe të rrezikshme”.

Google poashtu shfaq këto lloje reklamash në katër prej pesë herëve kur dikush bën kërkime që lidhen me abortin. Reklamat promovojnë një përdorim teorik të pavërtetuar të dozave të larta të hormonit progesteron për të “kthyer mbrapa” efektet e marrjes së mifepristonit, i cili është ilaç i përdorur për abort mjekësor.

Sipas një studimi në New England Journal of Medicine, te kjo praktikë e kthimit mbrapa ekziston një “mungesë e provave mjekësore që demonstrojnë sigurinë dhe efikasitetin e trajtimit” dhe kjo mund të çojë në hemorragji të rrezikshme, raporton The Guardian.

Përkundër kësaj, tetë shtete amerikane kërkojnë që personave që kërkojnë abort t’u jepet informacion që pretendon se një trajtim i kthimit mbrapa është opsion në dispozicion. Këto ligje, thanë autorët e studimit, “në thelb inkurajojnë gratë të marrin pjesë në një eksperiment kërkimor të pakontrolluar”.

“Është e neveritshme që grupet që kërkojnë të minojnë të drejtat themelore seksuale dhe riprodhuese janë në gjendje të përhapin dezinformata tek gratë dhe vajzat. Çfarë është më keq – Facebook dhe Google po fitojnë para nga kjo propagandë”, tha Imran Ahmed, shefi ekzekutiv i CCDH.