Angela Merkel, kancelaria e parë grua e Gjermanisë, është vlerësuar nga shumëkush për udhëheqjen e saj pragmatike në një botë të trazuar, duke u cilësuar kështu si ikonë feministe. Puna e saj në Gjermani për 16 vite tregon mundësitë e humbura për arritjen e barazisë gjinore. E quajtur “Gruaja më e fuqishme në botë” nga revista Forbes për 10 vitet e fundit me radhë, Merkel është cilësuar edhe si një mbrojtëse e fuqishme e vlerave liberale në Perëndim. Ajo ka qëndruar e palëkundur në samitet e dominuara nga burrat, të tillë si ish udhëheqësi i SHBA-së, Presidenti Trump ose Presidenti i Rusisë Vladimir Putin.
Miliona gra e admirojnë 67-vjeçaren për thyerjen e tabuve të dominimit të burrave në politikë e gjithashtu është lavdëruar si model mbresëlënës për vajzat dhe gratë.
Në udhëtimet e saja në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi, Merkel shpesh ka bërë vizita me qëllim të sensibilizimit mbi të drejtat e grave. Ajo gjithmonë ka potencuar se ofrimi i mundësive më të mira për arsimim dhe punësim ndaj grave, është çelësi për zhvillimin e atyre kombeve.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për situatën e grave në Gjermani, Merkel, e cila në vitin 2018 kishte thënë se nuk do të kërkonte rizgjedhje në zgjedhjet e përgjithshme është kritikuar se nuk e ka përdorur pozitën e saj sa duhet për të nxitur më shumë barazi gjinore, raporton Economic Times.
“Një gjë është e qartë: një grua ka demonstruar se gratë mund t’ia dalin,” tha Alice Schwarzer, feministja më e famshme gjermane. “Sidoqoftë, një kancelare grua e vetme nuk mund të kontribuoj në rritjen e emancipimit.”
Schwarzer, aktivistja 78-vjeçare për të drejtat e grave, është anëtarja më e shquar, e dashur dhe e urryer në vend dhe njëkohësisht themeluese e lëvizjes çlirimtare të grave gjermane.
“Ajo është e para që arriti deri në maje,” shtoi Schwarzer, e cila është takuar me Merkel për disa darka kokë më kokë gjatë viteve. “Por a ka bërë ajo ndonjë gjë për politikat e grave përveç pranisë së saj të sinqertë? Sinqerisht, jo shumë.”
Gratë gjermane madje kanë hasur disa pengesa nën udhëheqjen nga Merkel. Para se ajo të merrte detyrën në vitin 2005, prej tyre, 23% e ligjvënësve federalë në bllokun e saj të qendrës së djathtë ishin gra. Sot, shifra është 19.9%. Gjermania gjithashtu mbetet prapa vendeve të tjera evropiane kur bëhet fjalë për përfaqësim të barabartë politik.
Në vitin 2020, përqindja e vendeve të mbajtura nga gratë në parlamentet dhe në qeveritë kombëtare ishte 31.4% në Gjermani, shumë më poshtë se 49.6% e Suedisë, 43.3% të Belgjikës ose 42.2% të Spanjës, sipas agjencisë së statistikave të Bashkimit Evropian Eurostat.
Gratë gjithashtu mbeten qytetare të klasit të dytë në tregun e punës në Gjermani. Vitin e kaluar, vetëm 14.6% e menaxherëve të nivelit të lartë në kompanitë e mëdha gjermane të listuara ishin gra. Gjermania gjithashtu bartë hendekun më të madh të pagave në bazë gjinore në BE, me gratë që fitojnë 18% më pak se burrat në vitin 2020, sipas Zyrës Federale të Statistikave.
Ndërsa disa ekspertë thonë se Merkel ka shtruar presion më të madh për të pasur më shumë pushtet për gratë në mënyra indirekte.
“Angela Merkel nuk e filloi punën e saj me pretendimin për të përdorur rolin e saj si kancelare për mbështetjen e grave ose duke e bërë barazinë gjinore interesin e saj,” tha Julia Reuschenbach, një analiste politike në Universitetin e Bonit. “Sidoqoftë, ajo u angazhua shumë në promovimin e grave të tjera në politikë.”
Ursula von der Leyen, grua mjaft e fuqishme në kabinetin e Merkel, u bë presidentja e parë grua e Komisionit Evropian në vitin 2019. Annegret Kramp-Karrenbauer pasoi Merkelin si drejtuese të CDU-së së saj në vitin 2018, megjithëse ajo nuk arriti të impononte autoritetin e saj në parti dhe dha dorëheqjen në fillim të këtij viti.
Në vitin 2007, von der Leyen, e cila në atë kohë ishte ministre e familjes në Kabinetin e Merkelit, nxiti një reformë progresive të ndihmës për rritjen e fëmijëve në vend, e cila inkurajoi baballarët të merrnin leje prindërore pas lindjes së fëmijës. Sidoqoftë, ishte një nga ndryshimet e pakta ligjore gjatë mandatit të kancelares që kërkoi në mënyrë aktive të përmirësonte gjendjen e grave.
Një arsye për ngurrimin e Merkel për të luftuar më hapur për çështjet feministe në Gjermani mund të jetë lufta e saj për të arritur në krye të politikës gjermane, tha Schwarzer.
“Merkel mori shumë reagime si grua”, veçanërisht në fillim të karrierës së saj politike, tha ajo. “Ajo nuk e priste këtë, kështu që kjo mund të jetë një arsye që ajo të mos zgjedhë faktin se ajo është grua si temën e saj qendrore.”
Duke marrë parasysh sfidat e saj që kishte ne fillim nga burrat qw kishin ndikim në partinë e saj, të cilët ishin plotësisht konservatorë e shumica ishin katolikë, kjo gjë ndikoi që ata të mos e mirëpresin me krahë hapur ish-fizikanen protestante e cila vinte nga Gjermania Lindore, shtoi Schwarzer.
Komentet e gazetarëve gjermanë për pamjen e Merkelit ishin shpesh shumë seksiste, veçanërisht në fillim. Mediat gjermane fillimisht e quajtën atë “vajza e Kohl”, sepse Merkel fillimisht u promovua nga kancelari i atëhershëm Helmut Kohl dhe më vonë e quajtën atë “Mutti”, ose “mami”, edhe pse Merkel nuk ka fëmijë.
Leonie Pouw, menaxhere 24-vjeçare e fushatës zgjedhore në Berlin, ishte tetë vjeç kur Merkel erdhi në pushtet, kështu ajo shprehi se ishte gjëja më normale për të që të kishte një kancelare grua.
“Vetëm në shkollë, kur fillova të kem vetëdije politike, kuptova se sa do të thoshte, veçanërisht për brezin e vjetër, që një grua po udhëheq Gjermaninë,” tha Pouw, e cila u rrit në Gjermaninë jugperëndimore. “Kur e kuptova këtë, më bëri shumë krenare.”
Sidoqoftë, Pouw mendon se Merkel mund të kishte bërë më shumë për të drejtat e grave dhe vuri në theks se asnjë nga kabinetet e Merkel gjatë katër mandateve të saj nuk arriti barazinë gjinore. “Uroj që në të ardhmen të ketë po aq gra sa burra që na përfaqësojnë,” tha Pouw.
Kur vetë Merkel u pyet në vitin 2017 nëse ishte feministe, ajo u përgjigj me evazion, duke thënë: “Unë nuk dua të zbukurohem me një titull që nuk e kam”.
Ndërsa në vitet e fundit Merkel e mori këtë temë në mënyrë pro aktive dhe foli më shumë për barazi gjinore në Gjermani. Në vitin 2018, ndërsa Gjermania shënoi 100 vjetorin e votës së grave, ajo tha në një fjalim në Berlin nën duartrokitjet e forta të dëgjuesve kryesisht gra se kishte ende shumë për të bërë për të arritur barazinë gjinore.
“Qëllimi duhet të jetë barazia, barazia kudo,” tha ajo. “Shpresoj se do të bëhet e natyrshme që gratë dhe burrat do të ndajnë punët, duke rritur fëmijët dhe duke bërë punët e shtëpisë në mënyrë të barabartë … dhe shpresoj se nuk do të duhen edhe 100 vjet të tjerë për të arritur atje.”
Merkel ka folur pak për përvojat e saj të diskriminimit ose jetën e saj personale dhe burri i saj, kimisti kuantik Joachim Sauer, ka mbajtur një profil të ulët publik.
Javët e fundit, Merkel ndërmori një hap të rëndësishëm për promovimin e mëtejshëm të të drejtave të grave, duke deklaruar në një diskutim me gratë në Duesseldorf: “Unë jam feministe”. “Po, ne të gjithë duhet të jemi feministë,” shtoi ajo.