Një sondazh i ri ka zbuluar se gati gjysma e grave durojnë shqetësimet seksuale sepse nuk e dinë se çfarë është ‘normale’. Ky sondazh që kishte 2000 gra të anketuara, zbuloi se një në gjashtë gra (16%) pranuan se kishin pasur shqetësime “shpesh” ose “gjatë gjithë kohës” përgjatë marrëdhënieve seksuale.
Si rezultat, një e treta e të anketuarve të hulumtimit të zhvilluar nga Durex thanë se nuk janë “plotësisht të kënaqura” me përvojat e tyre seksuale.
Thatësia vagjinale është fajtori më i madh për shqetësimin (46%), e ndjekur nga mungesa e eksitimit (44%) dhe 13% e grave thanë se kishin pasur probleme sepse prezervativi “nuk ishte i lubrifikuar mjaftueshëm”.
Gati një e pesta (18%) nuk e dinin se thatësia vagjinale është pjesë e natyrshme e ciklit mujor të një gruaje, dhe tre në pesë gra thanë se do të dëshironin të ishte më e pranueshme të diskutohej më hapur rreth seksit, 72% e të anketuarve mendojnë se është tabu të flasësh rreth seksit dhe kënaqësisë seksuale femërore.
Sondazhi zbuloi se 76% e grave mendojnë se edukimi seksual në shkollë nuk i mësoi mjaftueshëm se çfarë të presin gjatë seksit dhe çfarë kërkon kënaqësia seksuale femërore, kurse tre në 10 gra nuk u mësuan fare për anatominë femërore.
Një zëdhënës i Durex tha: “Njohja e trupit tuaj dhe çfarë është dhe çfarë nuk është normale për të është një pjesë kyçe e të qenit në gjendje të shijoni seksin. Shumë gra nuk përjetojnë kënaqësi seksuale sepse nuk janë të vetëdijshme pse mund të përjetojnë siklet, nuk ndihen të sigurta për të ditur se çfarë të bëjnë në lidhje me të dhe për këtë arsye, e durojnë atë.”
“Shumë nga diskutimet rreth kënaqësisë mund të jenë të përqendruara te burrat, kështu që i bën gratë të ndihen më pak të sigurta për të bërë pyetje të rëndësishme në mënyrë që të gjejnë zgjidhjet e duhura për to,” shtoi ai.