Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Një sistem që ushqen femicidin!

Medinë Dauti 29.4.2022

Marigona Osmani u vra mizorisht nga partneri i saj në gusht të vitit të kaluar. Tetëmbëdhjetë vjeçarja u keqtrajtua dhe u dhunua fizikisht deri në vdekje në banesën ku po jetonte. Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu e dërguan trupin e pajetë të Marigonës para derës së spitalit në Ferizaj dhe u arratisën. Krivaqa, partneri i saj, ishte recidivist i disa veprave të ndryshme penale që lidheshin me vjedhje, kanosje, lëndime trupore etj. Por pavarësisht kësaj, ai ishte i lirë. Marigona është një nga viktimat e femicidit në Kosovë.

Shumica e grave të vrara kanë qenë viktima të dhunës sistematike. Sebahate Morina, një grua tjetër që u vra në mars të vitit të kaluar nga  ish-bashkëshorti i saj, kishte raportuar në polici dy herë rastin e dhunës në familje, por autoritetet përkatëse nuk e kishin trajtuar rastin me seriozitet. Një muaj më vonë, Zyra e Avokatit të Popullit, përmes një raporti ka bërë përgjegjës shtetin për vrasjen e Sebahates. (1)

Statistikat tregojnë se në Policinë e Kosovës çdo vit raportohen 1500 deri 2000 raste të dhunës në familje. Megjithatë, sipas anketave (2)  tregohet se jo gjithmonë raportohen rastet e dhunës dhe se 54% e të gjitha grave në Kosovë kanë përjetuar një formë të dhunës në familje gjatë jetës së tyre e cila është ushtruar nga burrat.

Dhuna ndaj grave përfshinë një gamë të gjerë veprimesh, duke filluar nga keqtrajtimi verbal dhe  jo-verbal, forma të tjera të abuzimit emocional, abuzimit fizik e seksual, dhe vrasjen e tyre. Femicidi nënkupton vrasjen e qëllimshme të grave për të vetmen arsye që ato janë gra. Shumica e rasteve të femicidit kryhen nga partnerë ose ish-partnerë, dhe ndodhin ndaj grave që kanë përjetuar abuzime të vazhdueshme, kërcënime ose kanosje, dhunë dhe ngacmime seksuale.

Historikisht gratë kanë qenë më të shtypura dhe të diskriminuara në shoqëri, për shkak të mungesës së kushteve ekonomike, qasjes në edukim dhe trashëgimisë në pronë.

Socializimi gjinor dhe përmbushja e pritshmërive gjinore është thelbësore për krijimin e identitetit në shoqëri hegjemoniste dhe patriarkale. Si funksionon kjo në Kosovë?

Rolet gjinore të përcaktuara nga shoqëria janë konstrukte që i bazojnë sjelljet e individit në përputhje me seksin e tyre. Zakonisht  këto konstrukte privilegjojnë burrat dhe u japin atyre më shumë vlerë sociale sesa grave. Këto privilegje që i gëzojnë burrat kontribuojnë që ata të ushtrojnë dhunë ndaj grave dhe vajzave. Teoritë e ndryshme kriminologjike shpjegojnë hendekun gjinor tek kryersit e krimit përmes normave të socializuara gjinore; veçanërisht nga burrat që aspirojnë të arrijnë “maskulinitetin hegjemonist” nëpërmjet sjelljeve që konsiderohen “maskuline” nga kultura dhe shoqëria në kohën në të cilën ata jetojnë.

Kjo formë e mbajtjes së pushtetit praktikohet edhe nga shumica e burrave në Kosovë, ku për shkak të kulturës patriarkale që është thellë e rrënjosur në shoqëri, burrat priren të besojnë se të qenit “i fortë” është atribut i domosdoshëm që ata duhet ta posedojnë. Në këtë mënyrë, dhuna shpesh përdoret nga ta për të imponuar maskulinitetin e tyre në familje dhe shoqëri.

Socializimi gjinor është proces që fillon qysh nga fëmijëria e hershme; më shpesh sheh djem duke lozur me armë dhe duke u shpërblyer nga prindërit kur ata tregohen agresiv, ashtu siç më shumë ka vajza që luajnë me lodra që shpesh lidhen direkt me rolin e amësisë apo kujdesin ndaj të tjerëve. Lodrat e ndara me bazë gjinore ndihmojnë në forcimin e steriotipeve të cilat përcaktojnë gabimisht se si gjinia përkufizon personalitetet, profesionet dhe ndërveprimet tona me të tjerët.

Fëmijët që kanë dhunë në familje apo vetëm ekspozohen ndaj dhunës në çfarëdo forme, mund të identifikohen dhe të ndihmohen qysh nga fillimi. Mirëpo, kjo nuk ndodhë në sistemin tonë arsimor, meqenëse mungesa e psikologëve, punonjësve social dhe pedagogëve pamundëson këtë trajtim.

Çfarë ndodhë me fëmijët që janë të dhunshëm dhe agresivë, të cilët prishin ‘rendin’ në klasë?  Zakonisht përjashtohen nga shkolla, largohen nga orët mësimore ose arsimtarët i dënojnë me nota jo të mira. Por, nga ky anashkalim, ai fëmijë mbetet i pa trajtuar dhe i dhunshëm, për shkak të metodave ndëshkuese të cilat nuk kanë ndihmuar.

Një fëmijë i përjashtuar në këtë formë nga çarqet shoqërore dhe i etiketuar si person i padëshiruar apo delikuent fillon të përmbushë po këto pritshmëri që shoqëria ka për të, ku sipas teorisë së etiketimit devijimi shpjegohet nëpërmjet syrit të shikuesit (on the eye of the beholder). Teoricienët e etiketimit argumentojnë se mënyra se si na shohin të tjerët, ose si besojmë ne se të tjerët na shohin, është thelbësore për të kuptuarit e vetvetes dhe vendit tonë në shoqëri.

Çka tenton të tregoj teoria e etiketimit është se etiketat devijante nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë në strukturat shoqërore por përkundrazi ka më shumë të ngjarë të zbatohen tek të pafuqishmit, të varfrit. Për më tepër, të pafuqishmit, duke pasur më pak burime kulturore dhe materiale në dispozicion të tyre, ka shumë gjasa të pranojnë etiketat devijuese. Përsëri, rezultati është një profeci vetë-përmbushës: anëtarët e grupeve në disavantazh etiketohen delikuent, gjë që ndryshon vetë-konceptin e tyre dhe bën që ata të devijojnë, duke përmbushur kështu profecinë e etiketës së tyre fillestare (Matsueda, 1992).

Mendojeni se çka ndodhë zakonisht me këta individë dhe si përfundojnë? Si i trajton sistemi i drejtësisë në Kosovë recidivistët?

Ndonëse roli i qendrave korrektuese është që t’i ndihmoj dhe rehabilitoj individët që të janë të gatshëm të rikthehen në shoqëri, statistikat tregojnë se shkalla e recidivizmit në botë është mjaft e lartë (ndonëse në Kosovë nuk ka të dhëna mbi recidivizmin, 50% e popullsisë botërisht janë përsëritës të veprave penale sipas World Population Review).

Nëse një ish-i burgosur nuk ri-integrohet me sukses, ka kosto direkte dhe indirekte për komunitetin. Nëse të burgosurit përsërisin veprën penale pas lirimit, siguria e komunitetit komprometohet përmes rritjes së krimit. Kjo kosto lidhet me gjykimin e këtyre veprave të reja plus kostot e administrimit të sanksioneve të reja. Ndërsa kostot më të rëndësishme janë ato që prekin viktimat e këtyre krimeve dhe që lidhen me humbjen e kapacitetit ekonomik dhe komunitar të shërbimeve sociale. 

Shumica e shkelësve të ligjit përballen me çështje të rëndësishme të përshtatjes sociale, të cilat mund të përfshijnë stigmatizimin dhe përjashtimin nga familja dhe komuniteti, dhe ndikimin negativ që rrjedh në aftësinë e tyre për të gjetur punë ose strehim, për t’u kthyer në arsimin formal ose për të ndërtuar (ose rindërtuar) kapitalin individual dhe shoqëror. Nëse nuk marrin ndihmë për t’u përballur me këto çështje, ata rrezikojnë të kapen në një cikël vicioz të integrimit të dështuar shoqëror, ri-fajësimit, dënimit dhe refuzimit shoqëror.

Rehabilitimi i shkelësve të ligjit dhe ri-integrimi i tyre i suksesshëm në shoqëri duhet të jetë ndër objektivat bazë të sistemeve të drejtësisë penale. Konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si dhe standardet dhe normat e Kombeve të Bashkuara në parandalimin e krimit në drejtësinë penale, e pranojnë qartë këtë pikë dhe theksojnë rëndësinë e ndërhyrjeve për të mbështetur ri-integrimin social të shkelësve, si një mjet për parandalimin e krimit të mëtejshëm dhe mbrojtjen e shoqërisë e veçanërisht mbrojtjes së grave dhe të gjitha grupeve tjera të cenueshme. 

Kodi Penal i Kosovës thotë se qëllimi i dënimeve është “të parandalojë kryesin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij”. Poashtu kërkesat që dalin nga Konventa e Stambollit, pjesë e së cilës është edhe Kosova, parashohin forma të qarta se si duhet të veprohet me kryerësit e veprave të tilla. Megjithatë, duke analizuar sigurinë e grave në Kosovë, institucionet tona po dështojnë në çdo formë të ofrojnë këtë. Andaj është e domosdoshme që institucionet të fokusohen në edukimin mbi dhunën qysh nga shkollimi fillor, të punësojnë punonjës social dhe psikologë në çdo shkollë në mënyrë që të adresohet ky fenomen.

Ristrukturimi dhe aplikimi i programeve rehabilituese në qendra korrektuese (burgje) është  thelbësor në uljen e krimit dhe recidivizmit. Në mënyrë që të luftojmë dhunën dhe vrasjet e grave, duhet të adresojmë shkaqet e tyre. Sanksionimi apo dënimi është një mjet, por nuk mund të pranohet si zgjidhje e vetme. Shifrat e larta të dhunës ndaj grave dhe rastet e shpeshta të femicidit duhet të jenë alarm për institucionet që të ndërhyjnë e të thyejnë ciklin e dhunës. Shteti po dështon të sigurojë të drejtën e grave për jetë. Kjo duhet të ndryshojë tani!

Djemtë po braktisin shkollimin parauniversitar më shumë se sa vajzat

26.1.2024

Të gjithë fëmijët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë gjinore, obligohen ligjërisht që të përfundojnë

Pse kaq pak burra punojnë si mësimdhënës në nivelin parashkollor?

16.1.2024

Rolet gjinore janë të ushtruara sistematikisht në shoqëri, duke e shtrirë pushtetin përmes stereotip

Çka duhet të rregullohet në Rregulloren Kundër Ngacmimeve Seksuale në UP?

18.12.2023

Universiteti i Prishtinës ka funksionuar për më shumë se 52 vjet pa një rregullim të brendshëm për n

Punë n’punë e punë n’shpi

8.12.2023

“Puna e papaguar” është term vetshpjegues. Në shumicën e rasteve i referohet punës ose shërbimeve që

Pse vajzat nuk po zgjedhin shkollat profesionale?

6.12.2023

Në Kosovë, ekzistojnë 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme duke përfshirë drej

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje nëpër prokuroritë e Kosovës

31.10.2023

Për të arritur një shoqëri të lirë nga dhuna në familje, është thelbësore që Kosova të vazhdojë përp