Të dhënat janë fuqi, por deri tani kanë qenë më shumë në dorë dhe shërbim të burrave. T’i përdorim ato për të luftuar shtypjen e pabarazinë që përjetojnë gratë!
Për 8 mars, QIKA lanson plaltformën e parë feministe në Kosovë për të dhëna të hapura, e cila në mënyrë interaktive shfaqë informata të detajuara për rastet e dhunës në familje, të ndara sipas gjinisë, komunës, përkatësisë etnike, mënyrës se si rastet janë zgjidhur, hapave që kanë ndërmarrë institucionet etj.
Duke e konsideruar këtë platformë si mjet të rëndësishëm për të pasqyruar pabarazitë gjinore, QIKA synon që në të ardhmen përveç përditësimit të të dhënave ekzistuese, të zgjerojë platformën “1≠1” duke shtuar të dhëna të ndara sipas gjinisë në fusha si arsimi, punësimi, shëndetësia, pronësia, buxheti publik, etj. Publikimi i këtyre të dhënave na ndihmon në vlerësimin e progresit në çdo angazhim të bërë për promovimin e barazisë gjinore dhe është një mundësi e mirë për të ndihmuar institucionet e vendit në hartimin e politikave të përgjegjshme gjinore dhe monitorimin e politikave ekzistuese nga perspektiva gjinore.