Me shumë pak vëmendje në të drejtat e njeriut dhe me një shoqëri civile të pas luftës e cila ka qenë e përqendruar kryesisht në tryeza të rrumbullakëta dhe broshura, shoqëria kosovare edhe sot vazhdimisht ballafaqohet me shkelje të mëdha të drejtave të njeriut nga më të ndryshmet duke filluar në familje, shkollë, rrugë, institucione shtetërore dhe private.
Këtë lloj mendësie e cila gjithmonë ka vend për kritikë për të tjerët por asnjëherë për vetëkritikë e gjejmë si në skenën politike kosovare ashtu edhe në shoqëri civile. Në njërën anë elita politike gjithmonë e ka agjendën e saj të fokusuar në konsolidimin e shtetit në perspektivë ndërkombëtare dhe në luftën e saj politike me Serbinë e jo në konsolidim të brendshëm dhe në padrejtësitë politike dhe shoqërore brenda shtetit. Ndërsa në anën tjetër shoqëria civile e cila edhe pse kryen punë dukshëm më të mirë se institucionet shtetërore, fokusin e saj e ka në padrejtësitë nga jashtë e jo edhe në ato të cilat ndodhin brenda duke filluar nga mungesa e përgjegjësisë për komunitetin e deri tek uzurpimi me vite i pozitës të drejtorit/es nëpër organizata, shtypja e punëtorëve brenda zyrave të tyre si dhe mënyra e funksionimit si biznes e jo organizatë.
Fatkeqësisht, anashkalimi i kritikës, reflektimit dhe reagimit të duhur na kanë përcjellur edhe gjatë masave mbrojtëse nga COVID-19, në një kohë kur padrejtësitë shoqërore dhe institucionale u shpërfaqen dhe u bënë më të theksuara edhe në Kosovë si në shumë vende të tjera të botës.
-Gra që vriten dhe dhunohen nga burrat, institucione të drejtësisë të cilat mbajnë anën e të fortëve, persona LGBTI+ të cilët përjashtohen nga shtëpitë, grupe të shtypura shoqërore dhe etnike të cilat nuk përfshihen fare në projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, mungesë e sigurimit të kushteve bazë për mësimnxënie për nxënësit me nevojë dhe biznese të cilat pakot emergjente i shfrytëzonin për familjen e tyre e jo për punëtorët të cilët në shumicën e rasteve janë pa kontrata pune – Këto ishin vetëm disa nga lajmet të cilat na kanë përcjellë gjatë gjithë kohës mirëpo që shumicën dërmuese të rasteve nuk janë përkthyer në rezistencë dhe kërkesë për drejtësi por janë lënë anash ose revolta ka përfunduar me një reagim për media, status në Facebook ose cicërimë në Twitter të shkruara nga karriga e cila ofron komoditet dhe siguri.
Ndonëse nuk mjaftonte mungesa e reagimeve serioze për padrejtësitë që po ndodhnin në nivel shoqëror dhe institucional, pothuajse e njëjta praktikë vazhdoj edhe kur ndodhën padrejtësitë ndaj shoqërisë civile për ndalimin e tubimit dhe protestimit dhe ndalimin e aktiviteteve kulturore derisa qendrat tregtare dhe institucionet religjioze vazhdonin punën e tyre me grumbull njerëzish. Ligji i cili ndalonte tubimin dhe protestimin për qëllim të mbrojtjes nga virusi në fillim poashtu ishte plotësisht antikushtetues meqë ishte krijuar si politikë vetëm nga qeveria dhe jo kuvendi ku inicohen dhe aprovohen ligje. Përveç antikushtetuese, kjo politikë në momentin kur u konsiderua nga disa aktivistë si jo demokratike për shkak se një nga vlerat bazë të demokracisë është e drejta për të protestuar dhe u tubuar në mënyrë që çdo tendencë tiranike ose jo demokratike e shtetit të ndalohet nga sovranët, u etiketuam si aktivistë të partive politike. Mirëpo, aksioni për vendosjen e pikave në shesh për ta ofruar mundësinë për reagim me distancën e rekomanduar u shërbej aktivistëve të pavarur dhe komunitetit artistik në Kosovë për të protestuar për kërkesat e tyre.
Fatmirësisht, e njëjta praktikë nuk ndodhi edhe në shtete të tjera të botës ku po e përjetonin shtypjen. Ne ishim dëshmitarë të organizimeve të shumta nga qytetarët për shkak të padrejtësive dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut. Dy nga të cilat kishin më së shumti jehonë ishin protestat dhe rebelimet e amerikanëve për ta kundërshtuar racizmin institucional dhe protestat në Poloni për ta kundërshtuar ndalimin e abortit. Në Kosovë, shumë njerëz bashkëndjenë me këto protesta dhe me protestuesit, ndërkohë që shumë pak prej tyre kishte reagime të duhura dhe direkte për padrejtësitë shoqërore dhe politike që po ndodhnin në Kosovë. Ani pse shumicën e kohës protestat për të drejtat e njeriut edhe pa situatë pandemike lënë për të dëshiruar meqë më shumë shihen si mundësi për ta kaluar pauzën më ndryshe dhe me diskutime me kolegët/et nga organizatat e tjera sesa për të kontribuar në kauzë dhe arritje të kërkesave të protestës.
Të gjithë personat të cilët punojnë në organizata të shoqërisë civile në Kosovë ose konsiderohen aktivistë/e për të drejtat e njeriut duhet të reflektojnë dhe t’i marrin seriozisht të gjitha kërkesat që bëhen në emër të këtyre të drejtave e sidomos në emër të grupeve të shtypura. Reagimi për të drejtat e njeriut duhet të transformohet nga reagim pasiv nga karriga në reagim aktiv dhe të shpejtë duke u mobilizuar dhe solidarizuar me njëri tjetrin. Privilegjet dhe komoditeti duhet kthyer në organizim e punë në terren, e sidomos në zonat jashtë Prishtinës. Është i domosdoshëm një aktivizëm tjetër lloj, i tillë që kërkon dhe angazhohet për ndryshime rrënjësore shoqërore.
Pikëpamjet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e QIKA