Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Gratë “punojnë pa pagesë” për gati dy muaj në vit

QIKA 22.5.2023

Gratë “punojnë pa pagesë” për gati dy muaj në vit. Kjo sipas analizave të reja që zbulojnë se ekziston një hendek gjinor të pagave prej 15%. Kjo shifër rritet në mënyrë dramatike pasi gratë lindin fëmijë.

Sipas analizës së të dhënave zyrtare nga Kongresi i Sindikatave të Tregtisë (TUC) gratë e punësuara fitojnë mesatarisht 29,684 funta në vit, krahasuar me burrat që fitojnë 35,260 funta në vit. TUC tha se kjo do të thotë se mesatarisht gratë punojnë pa pagesë për 54 ditë në vit.

Jeremy Hunt është nën presion për të financuar më shumë kujdes për fëmijët në buxhetin e tij më 15 mars, mes dëshmive në rritje se mungesa kronike e punëtorëve – e përkeqësuar nga largimi i nënave nga vendet e punës – ka ndihmuar në nxitjen e inflacionit. Megjithatë, besohet se kancelari ka refuzuar një opsion për zgjatjen e 30 orëve të kujdesit falas për fëmijët (1 dhe 2 vjeç) në Angli për arsye financiare.

TUC shpalli 23 shkurtin si “Dita e Pagave të Grave” dhe po kërkon që qeveria të bëjë më shumë për të detyruar kompanitë të mbyllin hendekun. “Gratë që punojnë meritojnë pagë të barabartë. Por me ritmet aktuale të progresit, do të duhen më shumë se 20 vjet për të mbyllur hendekun e pagave gjinore. Ne nuk mund të dërgojmë një brez tjetër të grave drejt pabarazisë në pagë”, tha Paul Nowak, sekretari i përgjithshëm i TUC.

Analiza e shifrave nga Zyra për Statistikat Kombëtare zbuloi se ndarja gjinore në paga ishte më e madhe për gratë e moshuara. Ato të moshës 50-59 vjeç pësuan një hendek pagash prej 20.8% – ekuivalente me 76 ditë pune në vit pa pagesë – ndërsa gratë e moshës mbi 60 vjeç kishin një hendek pagash gjinore prej 18.4%.

Një shenjë e mundshme progresi është se hendeku është shumë më i vogël për grupmoshat më të reja. Për vajzat 18 deri në 21 vjeç është 0.6% (dy ditë pune pa pagesë) dhe për ato të moshës 22-29 vjeç është 3.9% (14 ditë).

Megjithatë, hulumtimi tregon se hendeku zgjerohet sapo një grua lind fëmijë. “Ne kemi nevojë për ministra që financojnë kujdesin ndaj fëmijëve për të mbështetur prindërit që punojnë – së bashku me paga më të mira dhe njohje për punonjësit e kujdesit ndaj fëmijëve”, tha Nowak.

“Të dy prindërit duhet të jenë në gjendje të ndajnë përgjegjësinë për t’u kujdesur për fëmijët e tyre. Baballarët kanë nevojë për të drejta për pushime të paguara mirë. Përndryshe, nënat do të vazhdojnë të marrin përsipër pjesën më të madhe të përgjegjësive të kujdesit – dhe do të vazhdojnë të pranojnë goditjen financiare që pason”, shtoi ai.

“Ende ekziston një ‘dënim i amësisë’ dhe qeveria e punëdhënësit duhet të bëjnë më shumë për të siguruar që talenti i grave nuk humb nga fuqia punëtore pasi ato lindin fëmijë”, tha Caroline Nokes, deputete konservatore për Romsey dhe Southampton North.

“Ne duhet të përqafojmë fleksibilitetin dhe modelet diverse në mënyrë që gratë të mund të lulëzojnë. Për ministrat burra kjo mund të tingëllojë e pakëndshme, por kostoja e kësaj është se kujdesi për fëmijët dhe çështjet si menopauza po i dekurajojnë gratë nga marrja e orëve shtesë, promovimet dhe në disa raste mbajtja e vendit të punës”, shtoi Nokes.

Anum Qaisar, deputete e Partisë Kombëtare Skoceze për Airdrie dhe Shotts dhe anëtare e komitetit të grave dhe barazisë, tha se është “turp që në shekullin e 21-të, gratë nuk paguhen në mënyrë të barabartë me burrat”.

“Mbyllja e hendekut të pagave, qoftë ky hendeku gjinor apo hendeku i pagave të përkatësisë etnike, duhet të jetë një prioritet për qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar. Analiza e TUC-së është një tjetër shenjë e qartë se sa shumë punë duhet bërë ende dhe se ne duhet si shoqëri, punëdhënës dhe si qeveri e Mbretërisë së Bashkuar, të sigurojmë që masat të merren më shpejt, për të bërë ndryshimet e nevojshme që të mos dështojmë një brez tjetër grash”, deklaroi ajo.

Hulumtimi i TUC gjeti ndryshime të mëdha në hendekun e pagave gjinore në industri dhe rajone të ndryshme. Gratë që punojnë në financa dhe sigurime përjetojnë një hendek pagash prej 31.2% – ekuivalenti i 114 ditëve, që do të thotë se ato në mënyrë efektive punojnë pa pagesë për gati një të tretën e vitit.

Edhe në punët që priren të dominohen nga punonjëset gra, si arsimi dhe kujdesi shëndetësor, hendeku gjinor i pagave vazhdon. Në këta sektorë gratë mesatarisht paguhen shumë më pak në orë sesa burrat, sepse ato kanë më shumë gjasa të jenë në punë me orar të pjesshëm ose në role më pak të ulëta.

Në arsim, hendeku gjinor i pagave është 22.2%, ndërsa në shëndetësi dhe punë sociale është 14%.

Hendeku gjinor i pagave vazhdon pavarësisht se qeveria që nga viti 2017 kërkon që të gjitha kompanitë që punësojnë më shumë se 250 persona të publikojnë statistikat e diferencës së pagave.

“Është e qartë se vetëm publikimi i diferencës gjinore në paga nuk po funksionon. Kompanive duhet t’u kërkohet të publikojnë plane veprimi për të shpjeguar se çfarë hapash do të ndërmarrin për të mbyllur hendeqet e tyre të pagave si dhe drejtorët që nuk respektojnë ligjin duhet të gjobiten”, tha Nowak.

“Ky është një dënim për amësinë. Gratë përballen me diskriminimin e amësisë sepse ato shihen si të shpërqendruara dhe të paangazhuara në punët e tyre kur kanë fëmijë, ndërsa burrat në fakt paguhen më shumë pasi kanë fëmijë”, tha Joeli Brearley, themeluesja e grupit të fushatës Pregnant Then Screwed.

Analiza e mëparshme e The Guardian për raportimin e diferencës së pagave zbuloi se paga mesatare e grave në easyJet në 2021ishte vetëm 36 qindarka për çdo 1 funt që fitonin burrat.

Gjatë mandatit të saj të shkurtër si kryeminstre vitin e kaluar, Liz Truss kishte propozuar lejimin e mijëra kompanive që të shmangnin publikimin e të dhënave në një luftë kundër burokracisë. Kjo do lejonte kompanitë me më pak se 500 punonjës të shmangnin raportimin e të dhënave.

TUC e bazoi hulumtimin në shifrat ONS mbi pagën për orë, të cilat tregojnë se gratë paguhen mesatarisht 13,55 funta në orë krahasuar me 15,93 funta në orë për burrat – një hendek prej 14,9%. Në nivel vjetor, burrat me orar të plotë të punës paguhen 35,260 funta krahasuar me 29,684 funta për gratë – një hendek prej 15.8%.

 “Qeveria ka ndërmarrë veprime të rëndësishme për të mbështetur gratë në punë. Ne kemi shpenzuar mbi 3.5 miliardë funta në tre vitet e fundit për të mbështetur familjet me koston e kujdesit për fëmijët dhe në dhjetor kemi njoftuar se miliona punonjës do të jenë në gjendje të kërkojnë orar fleksibil që nga dita e parë e punësimit të tyre”, tha një zëdhënëse e Zyrës së Kabinetit.

Rupert Neate dhe Alexandra Topping

Artikulli origjinal: https://www.theguardian.com/business/2023/feb/23/women-work-two-months-for-free-reveals-tuc-analysis?fbclid=IwAR16dimGnVnwZHjuVnPvUvS2sufpttnFZLjmAPekY6FZsDC8A3SeApQCoxg

Ky artikull është përkthyer me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kudër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, ATRC dhe BIRN Kosova.