Në Afrikën Perëndimore, shumë vajza do të mungojnë kur të nisë viti i ri shkollor, sepse gjatë pushimeve janë martuar.
Martesa e fëmijëve mund të jetë njëkohësisht shkak dhe pasojë e mungesës së qasjes së vajzave në arsim. Vajzat mund të ndërpresin shkollimin sepse detyrohen të martohen, ose mund të martohen sepse nuk u jepet mundësia të vazhdojnë shkollimin.
Sipas UNICEF-it, Afrika Perëndimore dhe Qendrore ka përqindjen më të lartë të martesave të fëmijëve në botë. Në këtë rajon, katër në dhjetë vajza martohen para moshës 18-vjeçare.
Absétou* nga Bregu i Fildishtë, Aubierge nga Benini dhe Bibata nga Burkina Faso ëndërronin të vazhdonin shkollimin. Përmes rezistencës, aktivizmit dhe këmbënguljes, ato tregojnë historitë e tyre.
“Që nga momenti kur refuzova të martohesha, më rrihnin çdo ditë”
Absétou*, nga Bregu i Fildishtë, e kundërshtoi martesën që babai i saj po përpiqej t’ia impononte kur ajo ishte ende adoleshente. Sot, në moshën 29-vjeçare, ajo dëshiron të martohet me një burrë që e zgjedh vetë.
“Kur isha 14 vjeç, babai im donte të më martonte me një kushëri që ishte në të tridhjetat. Ai kishte filluar të organizonte martesën pas shpinës sime; kuptova se tashmë kishte blerë pëlhurën për rrobat e dasmës.
Refuzova të martohesha dhe i thashë babait se doja të vazhdoja shkollimin. I dija të drejtat e mia, sepse në shkollë na kishin mësuar për to. Në moshën 14-vjeçare, tashmë kisha plane të bëhesha mami.
Që nga momenti kur refuzova të martohesha, babai dërgonte njerëz të më prisnin rrugës për në shkollë, më rrihnin dhe më kthenin me forcë në shtëpi. Më rrihnin çdo ditë dhe ndonjëherë nuk më jepnin asgjë për të ngrënë.
Në fillim të vitit të ardhshëm shkollor, babai nuk i pagoi shpenzimet e shkollimit. Nëna ime tha se nuk kishte mundësi të më ndihmonte; ishte e dëshpëruar. Në familjen tonë, nëna nuk kishte zë. Po vuaja dhe qaja çdo ditë.”
Absétou shkoi te mësuesi i saj i anglishtes për t’ia shpjeguar situatën. Ai e lidhi me Amnesty International, ku ajo kërkoi ndihmë.
Kur përfaqësuesit e Amnesty-t shkuan të flisnin me babanë e saj, ai refuzoi t’i takonte. Në fund, ai e përzuri nga shtëpia.
Me mbështetjen e Amnesty International dhe Ministrisë së Arsimit, Absétou mundi të vazhdonte shkollën e mesme. Pas provimit përfundimtar, ajo shkoi të jetonte me një mentore dhe u trajnuа për t’u bërë mami.
“Sot, babai im nuk mund të më pengojë më.
Edhe sot marrëdhënia ime me babain nuk është e mirë. Kur e vizitoj, përshëndetemi, por nuk flasim më shumë se kaq. Unë do ta zgjedh vetë burrin me të cilin do të martohem dhe do ta organizoj vetë dasmën time. Këtë dua dhe babai im nuk mund të më pengojë më.”
Motra e saj e vogël gjithashtu refuzoi martesën që babai donte t’ia impononte dhe, ashtu si Absétou, u përzu nga shtëpia. Ajo shkoi të jetonte me motrën e saj, e cila drejtonte një biznes të vogël për t’i paguar shpenzimet e shkollimit.
Absétou tashmë punon prej tre vitesh si mami e regjistruar nga shteti. Në punën e saj takon gra që kanë përjetuar dhunë, përfshirë gra që janë detyruar të martohen ose që i janë nënshtruar gjymtimit gjenital femëror.
Ajo thotë se i dëgjon dhe i këshillon këto gra dhe se, ndonjëherë, kur mendon për përvojat e tyre dhe për atë që ka kaluar vetë, qan.
“Martesa e hershme nuk është gjë e mirë. Duhet t’i ndërgjegjësojmë prindërit dhe t’i pyesim vajzat e reja se çfarë duan për të ardhmen e tyre. I inkurajoj të luftojnë për veten.”
*Emri është ndryshuar.
“Vendosa të bëj fushatë për të drejtën për arsimim”
Aubierge, 22 vjeç, studion biznes në Parakou, në veri të Beninit. Ajo ka bërë fushatë për të drejtën për arsimim që nga mosha 15-vjeçare. Në vitin 2024, Amnesty International Benin e emëroi “Yll të të Drejtave të Njeriut”. Ajo organizon sesione ndërgjegjësimi në komunitetin e saj.
“Kur isha 14 vjeç, prindërit e mi po flisnin për të më martuar. Nuk më thanë drejtpërdrejt se nuk do të paguanin më për shkollimin tim, por e kuptova se nuk mund të prisja më asgjë prej tyre dhe se duhej të punoja për të vazhduar shkollën.
Fillova të bëja punë të vogla, si shitja e sapunit të lëngshëm dhe pëlhurave, për të paguar mjetet shkollore.
Ndalova së kërkuari çdo gjë nga prindërit dhe ata e panë se isha e vendosur, kështu që ndaluan së foluri për martesën time. Edhe motrat e mia luftuan për të pasur mundësi të studionin.”
Aubierge tregon se në komunitetin e saj shpesh ka dëgjuar prindër t’u thonë vajzave 12-, 13- ose 14-vjeçare se nuk mund të vazhdonin më shkollimin dhe se duhej të martoheshin.
Kjo u kishte ndodhur edhe shumë prej shoqeve të saj të klasës. Pas martesës, shumë prej tyre ishin abuzuar nga bashkëshortët.
“Vajzat ishin shumë të reja kur u martuan; nuk dinin asgjë për martesën. Disa nuk mundën të qëndronin me bashkëshortët e tyre. Sot punojnë në bujqësi, drejtojnë biznese të vogla ose lypin për të siguruar jetesën.
Përballë kësaj, i thashë vetes se nuk mund të rrija duarkryq dhe të mos bëja asgjë. Vendosa të bëj fushatë për të drejtën për arsimim. Nuk doja ta përjetoja edhe vetë këtë dhe doja t’i jepja fund kësaj.”
Ajo thotë se ndërgjegjësimi i prindërve për pasojat e dëmshme të martesave të hershme nuk është i lehtë.
“Kam luftuar shumë për të arritur këtu ku jam. Është vërtet e vështirë, por nuk do të ndalem. Flas në emër të fëmijëve të cenueshëm.”
“Nuk do të lejoj që kjo të ndodhë përsëri”
Bibata, nga Burkina Faso, u martua në moshën 22-vjeçare. Ajo mendonte se do të mund të vazhdonte shkollimin edhe pas martesës dhe u largua nga Burkina Faso për të jetuar në Bregun e Fildishtë me bashkëshortin. Sot, 27 vjeçe, ajo është kthyer në vendin e saj.
“Kur isha në shkollë të mesme, prindërit më thanë se nuk mund të përballonin më shpenzimet e arsimimit tim. Një i ri më tha se do t’i paguante ato nëse pranoja të martohesha me të. E pranova propozimin e tij sepse kjo do të më mundësonte të kthehesha në shkollë dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për mua.
Kur u largova me bashkëshortin tim për në Bregun e Fildishtë, mora me vete të gjithë librat e shkollës. Por pasi u vendosëm atje, ai nuk e përmendi më kurrë shkollën. Kuptova se më kishte gënjyer.
Ai nuk kujdesej për mua, as kur isha e sëmurë. Për dy vjet, ditët i kaloja duke bërë punët e shtëpisë dhe natën nuk mund të flija nga dhimbjet e këmbëve. Isha shumë e sëmurë dhe humba shumë peshë. Vendosa të largohesha para se të humbisja jetën atje.”
Bibata nuk kishte para për t’u kthyer në Burkina Faso. Një ish-shok klase, i cili ishte vendosur në Abidjan, e ndihmoi financiarisht dhe ajo arriti të kthehej te prindërit.
“Tani e di se në një marrëdhënie duhet të ketë komunikim dhe sinqeritet që në fillim; secili duhet t’i kuptojë pritshmëritë e tjetrit. Bashkëshorti im mund të ketë pasur probleme, por ai nuk foli për to dhe unë e pagova çmimin. Pas asaj që kam përjetuar, nuk do të lejoj që kjo të ndodhë përsëri.
Ende nuk kam mundur të rikthehem në shkollë. Për momentin, po i ndihmoj prindërit në ara. Ajo që do të doja të shihja është që gratë të ndihmohen të krijojnë biznese në mënyrë që të kenë të ardhura. Kur gratë punojnë, mund t’ia dalin edhe pa mbështetjen e bashkëshortëve. Gratë duhet ta marrin të ardhmen e tyre në duart e veta.”
Amnesty International po punon me organizata partnere dhe komunitete në Afrikën Perëndimore për t’i dhënë fund martesave të hershme dhe të detyruara.
Përmes një programi të edukimit për të drejtat e njeriut, të zbatuar që nga viti 2017 në Burkina Faso, Senegal dhe Sierra Leone, organizata punon për të luftuar dhunën me bazë gjinore, përfshirë gjymtimin gjenital femëror dhe martesat e hershme e të detyruara.
Në Benin dhe Bregun e Fildishtë, Amnesty International zhvillon fushata për avancimin e të drejtave të vajzave dhe organizon aktivitete ndërgjegjësuese dhe edukative në komunitete për martesat e hershme dhe të detyruara.
Lexoni artikulli origjinal këtu.
Përktheu: Medinë Dauti