Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka publikuar raportin “Ngacmimi Seksual në Sektorin Privat në Kosovë”. Ky raport, ka për qëllim të kuptojë problemin e ngacmimit seksual në Kosovë, si një fenomen i përgjithshëm dhe në veçanti në vendin e punës të sektorit privat. Gjithashtu, raporti qartëson mekanizmat ekzistues në vendet e punës për të identifikuar dhe raportuar incidentet e ngacmimit seksual.
Raporti tregon se punonjëset gra ndihen përgjithësisht të sigurta në punën e tyre (93% e të anketuarave kanë deklaruar se ndihen ‘të sigurta’ ose ‘shumë të sigurta’ në vendin e punës dhe se shqetësimet kryesore në vendin e punës që i kanë theksuar në anketë lidhen me theksuan pagat e ulëta, mungesën e sigurimit shëndetësor, kushtet e punës dhe kohëzgjatjen e kontratës.
Gjetjet e raportit tregojnë se ngacmimi seksual është i përhapur në Kosovë. “Nga të anketuarat, 64% kanë shprehur besimin e tyre se ngacmimi seksual është një fenomen aktual në Kosovë, ndërsa 30% janë pajtuar se ekziston deri diku. Çuditërisht, vetëm 5% e të anketuarave kanë deklaruar se nuk besojnë se popullata në Kosovë është e ekspozuar ndaj ngacmimeve seksuale”, thuhet në raport.
Si dhe vlen të theksohet se grupmoshat më të reja (18-24 dhe 25-34) kanë qenë më të hapura për të pranuar ngacmimin seksual si fenomen ekzistues në vendin e punës.
Gratë e anketuara dhe kompanitë e intervistuara deklaruan se ngacmimi seksual nuk vërehet apo raportohet shpesh në vendin e punës. “Të dy gjetjet u pajtuan se arsyet se pse incidentet e ngacmimeve seksuale mund të mos raportohen përfshijnë frikën e stigmatizimit dhe frikën nga humbja e punës, ndër të tjerash”, thuhet në raport.
Sa u përket përvojave personale të grave të punësuara rreth ekspozimit ndaj incidenteve të ngacmimit seksual, 10% e grave janë përgjigjur se ato ose një kolege e tyre kanë qenë të ekspozuara ndaj incidenteve të ngacmimit seksual të paktën një here, 5% deklaruan se kjo ka ndodhur më shumë se tre here, megjithatë 77% e grave të punësuara raportuan se në vendin e tyre të punës mungon një sistem specifik raportimi për incidentet e ngacmimeve seksuale.
Në bazë të gjetjeve, raporti ofron rekomandime specifike për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale respektivisht Inspektorati të Punës, punëdhënësit, shoqërinë civile dhe institucionet e Kosovës.