Gratë negociojnë me frikën dhe rreziqet përgjatë shfrytëzimit të hapësirave publike në çdo qytet të botës (UNWOMEN, 2020). Por, ky shkrim nuk flet për krejt gratë, meqenëse në disa vende të botës ato nuk e kanë fare të drejtën e lëvizjes së lirë në hapësira publike pa mbikëqyrjen e kujdestarit burrë, apo pa i ndjekur udhëzimet strikte për përdorimin e hapësirave publike.
Me hapësirë publike, për nevojat e këtij shkrimi, nënkuptojmë të gjitha hapësirat fizike të qytetit në pronësi publike ose që i shërbejnë përdorimit publik, të qasshme për të gjithë falas pa ndonjë motiv profiti. Këto hapësira përfshijnë: parqet, rrugët, sheshet, stacionet e autobusëve, etj. Poashtu, këto hapësira nuk janë neutrale ndaj gjinisë por i reflektojnë dhe riprodhojnë marrëdhëniet e pushtetit në mes tyre.
Kështu, meqë burrat kanë pushtet disproporcional ndaj grave në çdo sferë shoqërore, ky pushtet ushtrohet duke ua cenuar grave edhe shfrytëzimin e hapësirave publike, me të gjithë potencialin që ato e ofrojnë. Përsëri, jo të gjitha gratë e gëzojnë privilegjin e pjesëmarrjes në sferën publike.
Ndërkaq së fundi, punimet hulumtuese po i dokumentojnë një sërë gjërash që gratë nuk mund t’i bëjnë në hapësirat publike si:
Të ecin ku të duan
Të inspiruara prej autoreve feministe të cilat e shpjegojnë sesi strukturat e pushtetit të imponuara prej patriarkalizmit manifestohen në përdorimin e hapësirave publike, është shtuar numri i studimeve që fokusohen në shpërfaqjen e përvojave të grave me hapësirat publike ndërsa rezultatet e tyre tregojnë për një gjendje alarmante për gratë (Viswanath et. al., 2007).
Për shkak të frikës prej të qenit viktima, gratë dhe vajzat vazhdimisht i shmangin hapësirave të caktuara në qytete. Gratë marrin vazhdimisht vendimet për ndërrimin e rrugëve apo zgjedhjen e vendit në transport publik si pjesë e vendimeve të tyre strategjike për t’iu shmangur ngacmimit seksual dhe formave të tjera të dhunës me bazë gjinore. (Gray & Kelly, 2020) Ngjashëm, si pjesë e sjelljes së tyre ‘shmangëse’, gratë ndërrojnë rrugën kur shohin një grup burrash apo një hapësirë të dominuar prej tyre.
Nga ndërrimi i rrugëve për në shtëpi te zgjedhja e vendeve në transportin publik, tek përdorimi i kufjeve dhe syzeve të diellit si një mënyrë për t’u ndjerë të padukshme; gratë dhe vajzat në mbarë botën po marrin rregullisht vendime strategjike për të shmangur ngacmimet seksuale dhe forma të tjera të dhunës seksuale (Gray & Kelly, 2020).
Të bëjnë çfarë të duan
Perceptimi mbi sigurinë dhe përvojat e shpeshta me ngacmim ndikojnë negativisht në aktivitetin e grave në hapësirat publike duke ua pamundësuar edhe aktivitetet që janë të domosdoshme për mirëqenien e tyre si ato sportive. Një studim i realizuar me gratë të cilat vrapojnë në hapësira të gjelbëruara tregon sesi gratë ndihen të turpëruara nga vëmendja e padëshiruar si dhe vazhdimisht të zemëruara që nuk mund të vraponin pa u ngacmuar. Frika më e madhe e tyre është veçanërisht nga të vrapuarit në agim apo në mbrëmje prej përdhunimit potencial.(Roper, 2016).
Gratë nuk e kanë lirinë të veshën ashtu siç dëshirojnë në hapësirat publike, meqenëse kufizimi i veshjes është pjesë rutinore e punës së padukshme të grave për t’u ndjerë të sigurta. Puna rutinore e grave për t’iu shmangur rreziqeve, që nënkupton një sjellje vigjilente dhe të alarmuar, shmangie të aktiviteteve të cilat ndodhin natën, ndryshim të gjuhës trupore, kufizim të veshjes në hapësira publike për t’iu shmangur vëmendjes së padëshiruar, mund të përmblidhet në termin ‘puna për siguri’ (safety work). (Lennox, 2021).
Të dalin kur të duan
Në një ambient të errësuar njerëzit janë në përgjithësi më të vëmendshëm për shkak të frikës që diçka mund t’iu ndodhë. Hapësirat publike që janë të ndriçuara kanë më pak gjasa të perceptohen si të pasigurta meqenëse njerëzit kanë mundësi ta vëzhgojnë hapësirën. Megjithëkëtë, për gratë edhe pse prezenca e dritave ndikon pozitivisht në perceptimin e tyre mbi sigurinë vetanake, frika prej dhunës në bazë gjinore dominon si faktor që ua pamundëson shfrytëzimin e hapësirave publike natën si dhe në agim.
Frika prej përdhunimit seksual apo sulmeve seksuale është një formë e frikës më specifike për gratë për shkak se kjo është prej formave më të shpeshta të dhunës me bazë gjinore. Faktorët psikologjik dhe mjedisor që ndërlidhen me nivelin e lartë të frikës e përfshijnë perceptimin e grave për rrezikun e madh të të qenit viktimë e një shumësie të krimeve (specifikisht përdhunimin) që e shkakton një ndjenjë permanente të pafuqisë fizike, dhe dobësisë që përformon së bashku me hapësirën” (Riger & Gordon, 1981). Përdhunimi dhe vëmendja seksuale e padëshiruar janë forma të shpeshta të dhunës seksuale që gratë i përjetojnë në hapësirat publike, përfshirë autostrada, stacione treni, institucione arsimore, vendet e biznesit, tualete publike, tregjet dhe zonat e parkut (UN Women, 2020, Roper. et. al., 2016).
Siç e kanë ilustruar edhe studimet e cituara në këtë shkrim, frika prej dhunës me bazë gjinore dominon në hierarkinë e faktorëve të cilët e dëmtojnë përvojën e grave në përdorimin e hapësirave publike. Kjo tregon që po aq vëmendje sa duhet t’i ipet rregullimit të faktorëve objektiv të sigurisë siç është ndriçimi, duhet punuar drejtë ç’normalizimit të formave të dhunës me bazë gjinore që vazhdojnë të jenë të pranueshme në pjesën me të madhe të shoqërive. Pa pasur ndryshime rrënjësore në marrëdhëniet shoqërore në mes të gjinive, hapësirat publike nuk do të jenë asnjëherë të sigurta për gratë.
UN-Women (2021). Creating safe and empowering public spaces with women and girls. UN women – Headquarters. Retrieved from https://www.unwomen.org/en/what-we-do/endingviolence-against-women/creating-safe-public-spaces (02.07.2023).
Viswanath, K., & Mehrotra, S. T. (2007). “Shall We Go out?” women’s Safety in Public Spaces in Delhi. ResearchGate. https://doi.org/10.2307/4419521
Lennox, R. A. (2021b). “There’s girls who can fight, and there’s girls who are innocent”: Gendered Safekeeping as virtue maintenance work. Violence Against women, 28(2), 641–663.
Roper, E. A. (2016). Concerns for personal safety among female recreational runners. women in Sport and Physical Activity Journal, 24(2), 91–98. https://doi.org/10.1123/wspaj.2015-0013
Riger, S., & Gordon, M. J. (1981). The Fear of Rape: A Study in Social Control. Journal of Social Issues, 37(4), 71–92. https://doi.org/10.1111/j.1540-4560.1981.tb01071.x