Është e dukshme se si politika moderne po i vendos gratë para një zgjedhjeje shumë të vështirë, të durojnë kërcënimet dhe abuzimet e vazhdueshme në internet ose të largohen nga jeta publike.
Jacinda Ardern, ish-kryeministrja e Zelandës së Re dhe Sanna Marin, ish-kryeministrja e Finlandës, janë dy rastet e profilit më të lartë, por problemi është shumë më i përhapur.
Përfaqësuesit e zgjedhur janë përballur gjithmonë me kritika dhe gjykim publik. Disa argumentojnë se kjo është pjesë e diskursit, por epoka e rrjeteve sociale po normalizon forma gjithnjë e më agresive të abuzimit. Politikanët tani presin fyerjet, frikësimin, ngacmimet kibernetike dhe trolling (një postim qëllimisht fyes ose provokues në internet me qëllim të mërzitjes së dikujt ose të nxitjes së një përgjigje të zemëruar) si pjesë e rregullt e ndërveprimit të tyre të përditshëm në internet.
Për gratë në politikë gjendja është edhe më keq. Ato përballen me gjithçka, nga komentet seksiste deri tek gjuha e urrejtjes, sulmet kibernetike, komentet rreth trupit të tyre e madje edhe kërcënimet për sulm, përdhunim dhe vdekje, të gjitha këto krijojnë një mjedis virtual toksik që përbën rrezik real për pjesëmarrjen e grave në jetën publike dhe shëndetin e demokracisë.
Ky problem është global. Hulumtimi nga Inter-Parliamentary Union, një organizatë që përfaqëson parlamentet në mbarë botën, zbuloi se katër nga pesë gra deputete kanë përjetuar dhunë psikologjike si shqetësimi, frikësimi, abuzimi verbal apo ngacmimi.
2/3 e grave kanë qenë shënjestër e komenteve seksiste apo komenteve poshtëruese me përmbajtje seksuale dhe rreth 2 në 5 gra kanë pranuar kërcënime për sulm, dhunë seksuale ose kërcënim me vdekje.
Abuzimi ndaj Ardern ka qenë aq intensiv sa që edhe pas pensionimi ajo pritet të ketë mbrojtje shtesë nga policia. Hulumtimet në SHBA, Kanada, Indi, Mbretërinë e Bashkuar, Azinë Juglindore, në të gjithë Afrikën dhe në Evropë, poashtu prezanton gjetje të ngjashme.
Hulumtimi i cili po vazhdon të realizohet nga Universiteti Galway mbi përvojat e politikaneve gra në Irlandë, nga këshilltare të këshilleve lokale deri te ish-ministre të qeverisë, përshkruan një pamje të ngjashme dhe shqetësuese. Në intervistat cilësore, të kryera si pjesë e hulumtimit të vazhdueshëm, kemi gjetur se 9 në 10 gra kanë pranuar mesazhe abuzive.
Këto mesazhe variojnë nga gjuha e ndyrë deri te komentet me gjuhë urrejtje për pamjen dhe nivelin e tyre të inteligjencës. Pothuajse 3/4 e tyre kanë përjetuar kërcënime për dhunë fizike në rrjetet sociale dhe 38% deklaruan se kishin marrë kërcënime për përdhunim ose dhunë seksuale – të gjitha vepra penale sipas Kodit Penal irlandez.
Joan Burton, ish-tánaiste (zëvendëskryeministre) e Irlandës, tregoi se ajo ishte kërcënuar se do të sulmohej me acid dhe vazhdimisht kishte pranuar kërcënime me vdekje nga trollët në internet. Abuzimi kibernetik bazuar në kategorizimin shoqëror është gjithashtu i zakonshëm, sipas një studimi të publikuar nga Parlamenti Evropian. Gratë politikane që i përkasin prejardhjes racore a etnike të pakicave, ose identifikohen si LGBTQ+, janë target shumë më i shpeshtë.
Ky rrezik sigurisht që nuk i prek vetëm gratë politikane. The Economist Intelligence Unit ka raportuar se më shumë se 1 në 3 gra kanë përjetuar dhunë në internet.
Përjashtimi i grave nga jeta publike
Krejt kjo ka potencial shumë të madh për të pasur një efekt frikësues në pjesëmarrjen dhe angazhimin e grave në jetën qytetare e politike, jo vetëm si politikane, por si pjesëmarrëse në debatet online që tani orientojnë kulturën politike. Një sondazh global i realizuar nga National Democratic Institute, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Uashington, zbuloi se më shumë se gjysma e grave të reja që postonin opinione politike në internet u sulmuan për shkak të pikëpamjeve të tyre.
Kjo formë e abuzimit nuk është vetëm një koleksion incidentesh të izoluara, por është një problem sistematik që gërryen vlerat demokratike. Një në pesë politikane irlandeze që iu përgjigjën studimit tonë thanë se kanë konsideruar që të largohen nga politika për shkak të ngacmimeve që kanë marrë në internet, bile disa prej tyre deklaruan se nuk ndihen të sigurta që të marrin pjesë në takime publike. Shqetësimet lidhur me sigurinë e tyre, stafit dhe familjes së tyre e pengojnë më tej pjesëmarrjen e tyre publike.
Një raport i vitit 2021 nga NATO gjurmoi abuzimet që kishin pranuar ministret gra të qeverisë finlandeze, përfshirë Marin, në X (ish-Twitter) dhe gjeti komente të shumta të sulmeve armiqësore me bazë gjinore. Raporti zbulon përdorim të përsëritur të termave si “qeveri e buzëkuqeve”, “kuintet feministe” dhe “ekipi i tamponëve” të cilat i referoheshin qeverisë.
Një pikë kyçe që theksohet në raportin e NATO-s është se këto sulme u orkestruan nga ata që kërkojnë në mënyrë aktive të dëmtojnë demokracinë. Kjo përbën një provë bindëse se problemi është i thellë, duke ilustruar se njerëzit që përpiqen të minojnë një qeveri e përdorin sulmin ndaj grave si një strategji fituese.
Shembujt e përmendur në raport nuk operojnë vetëm rreth urrejtjes ndaj këtyre grave. Aty nënvijëzohet se ata që kërkojnë të kundërshtojnë një qeveri e kuptojnë se kjo formë urrejtjeje është një mjet efektiv për të arritur qëllimet e tyre. Kjo sugjeron një indiferencë shqetësuese nga ana e sulmuesve, por edhe një perceptim se asgjë nuk mund ose nuk do të bëhet për t’iu kundërvënë sulmeve të tyre.
Pas vitesh tentimi për të bërë progres në rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën politike, demokracitë në mbarë botën tani janë në rrezik real të regresit nëse gratë përjashtohen nga politika dhe jeta publike në përgjithësi.
Meqë e dimë problemin, ne i dimë edhe zgjidhjet
Trajtimi i dhunës kibernetike ndaj grave në politikë është i ndërlikuar, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të merren masa. Tashmë ekzistojnë ligje që supozohet të mbrojnë gratë nga ky lloj abuzimi, por ato nuk po zbatohen efektivisht.
Është koha për t’i frenuar platformat e teknologjisë dhe për t’i mbajtur ato ligjërisht përgjegjëse për përmbajtjen toksike që lejojnë, të shtyrë nga algoritmet e tyre. Nevojitet një përpjekje kolektive ndërkombëtare që të avokohet për sanksione të ashpra.
Kjo duhet të përfshijë, për shembull, një “car sigurie” në internet që ka fuqinë për t’i detyruar këto monolite të largojnë përmbajtjen abuzive dhe të ndalojnë përhapjen e saj. Kompanitë e mëdha të teknologjisë janë përhapëse të vazhdueshme të urrejtjes dhe duhet të përballen me gjoba masive.
Fushatat e ndërgjegjësimit dhe edukimit publik duhet të targetojnë djemtë dhe burrat, duke proklamuar sjelljen e respektueshme në internet dhe mendimin kritik për t’i inkurajuar ata të vënë në dyshim stereotipat dhe paragjykimet e dëmshme. Atyre duhet t’u mësohet shkrim-leximi dixhital për të kuptuar më mirë pasojat e veprimeve të tyre në internet. Ndërkohë, nevojiten sisteme të fuqishme mbështetëse për gratë politikane që përballen me abuzime.
Ndikimi i abuzimit online te politikanet gra është shumë i rëndësishëm. Dhe nëse çështja nuk trajtohet e gratë tërhiqen nga pozitat e pushtetit, kjo mund të çojë në pasoja të tmerrshme për demokracitë në botë.
Tom Felle
E përktheu: Blenda Asllani
Tekstin origjinal mund ta gjeni në:https://theconversation.com/online-abuse-could-drive-women-out-of-political-life-the-time-to-act-is-now-214301?fbclid=IwAR2uiG5OsJN0lCiBKK2Nq1WCwFvU1b5KDWOPqQc1Z-6f_cIUUzxN7UINEyc