Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Vetëm 15% e pronave dhe 16% e llogarive bankare të biznesit janë në pronësi të grave në Kosovë

QIKA 17.11.2023

Instituti GAP ka publikuar raportin, “Në kërkim të barazisë financiare: Qasja në financa për bizneset në pronësi të grave dhe të pakicave etnike”, i cili fokusohet në sfidat financiare me të cilat ballafaqohen ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme që janë në pronësi të grave dhe pakicave etnike në Kosovë.

Sipas raportit, gratë në Kosovë zotërojnë vetëm 15% të pronave, krahasuar me 74% që zotërohen nga burrat. Pjesa e mbetur e pronave prej 11% është në pronësi të personave/subjekteve juridike. Niveli i ulët i zotërimit të pronave shkakton probleme të ndryshme ekonomike dhe shoqërore për gratë, siç është mungesa e kolateralit të mjaftueshëm për të marrë hua.

Sa u përket llogarive bankare të biznesit në Kosovë vetëm 16% janë në pronësi të grave, 82% në pronësi të burrave dhe 2% janë të regjistruar në bashkëpronësi.

Bizneset në pronësi të grave në Kosovë kanë 2.4 herë më pak hua sesa ato në pronësi të burrave. Konkretisht, niveli i borxhit aktiv për bizneset në pronësi të grave është 642.6 milionë euro, ndërsa për burrat është 1.6 miliardë euro. Për më tepër, bizneset në pronësi të grave zotërojnë 14.2 herë më pak depozita se ato në pronësi të burrave, apo vetëm 111.9 milionë euro krahasuar me bizneset në pronësi të burrave që zotërojnë 1.58 miliardë euro depozita, thuhet në raport.

Ngjashëm, edhe tek llogaritë individuale gratë zotërojnë 2.42 herë më pak depozita sesa burrat në llogaritë e tyre individuale. Shuma e depozitave të zotëruara nga gratë në llogaritë e tyre bankare është 829.5 milionë euro, ndërsa nga burrat është 2.01 miliardë euro.

Bazuar në gjetjet e raportit, Instituti GAP ka ofruar rekomandime lidhur me përmirësimin e kësaj gjendjeje shqetësuese, përmes promovimit të edukimit financiar, përfshirjes së grave përmes programeve të investimit dhe krijimit të mundësisë për rrjetëzim.

Raportin e plotë e gjeni në:https://www.institutigap.org/documents/60685_Qasja%20n%C3%AB%20financa%20p%C3%ABr%20bizneset%20n%C3%AB%20pron%C3%ABsi%20t%C3%AB%20grave.pdf