Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Pse kaq pak burra punojnë si mësimdhënës në nivelin parashkollor?

Medinë Dauti 16.1.2024

Rolet gjinore janë të ushtruara sistematikisht në shoqëri, duke e shtrirë pushtetin përmes stereotipeve të ndryshme. Një nga këto stereotipe është përgjegjësia e kujdesit, e cila shihet si detyrë e grave, ku pothuajse në të gjitha shoqëritë, kujdesi për fëmijët dhe punët e shtëpisë shihen si përgjegjësi vetëm e grave. Për shkak të këtyre paragjykimeve, bindjet shoqërore paraprijnë edhe karrierën e grave dhe burrave – ku për secilën gjini ka pritshmëri të ndryshme. Kështu, njerëzit priren të besojnë se gratë nga natyra janë më të mira në kujdesin dhe edukimin e fëmijëve.

Formalizimi i edukimit në fëmijërinë e hershme në kopshte morri hov në shekullin e 19-të. Mirëpo, historia e edukatorëve/eve parashkollor filloi qysh më herët. Në fazat e hershme të edukimit të fëmijërisë, përgjegjësia për t’u kujdesur për fëmijët e vegjël qëndronte kryesisht brenda shtëpisë, ku nënat dhe gratë tjera të familjes luanin rol kryesor në këtë drejtim. Kurse familjet më të pasura punësonin herë pas here kujdestare ose tutore – më së shpeshti gra – për të ofruar arsimim të hershëm, meqë shiheshin si më të denja për këtë pozitë.

Për shkak të bindjeve se gratë janë përgjegjëse për kujdesin ndaj fëmijëve, ato e shohin si profesion të denjë mësimdhënien në nivelin parashkollor, shumë më shumë se sa burrat.

Në Kosovë, statistikat tregojnë se përgjatë viteve 2018 – 2021, ndonëse kanë qenë të punësuar afro 600 mësimdhënës në nivelin parashkollor, thuajse të gjitha ishin gra.

Brenda vitit shkollor 2020 – 2021 në nivel vendi kanë qenë të punësuar vetëm dy burra si mësimdhënës në nivel parashkollor. Përderisa në vitin shkollor 2019 – 2020 ka qenë vetëm një mësimdhënës burrë në këtë nivel arsimor, në vitet 2018 – 2019 nuk ka qenë asnjë mësimdhënës burrë (të dhënat e marra nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të analizuara nga QIKA).

Sfera e arsimit parashkollor historikisht ka qenë e dominuar nga gratë, duke reflektuar një prirje shoqërore ku rolet e kujdesit shpesh përputhen me pritshmëritë tradicionale gjinore. Përderisa arsyet për këtë pabarazi gjinore janë komplekse dhe të shumanshme, disa faktorë kontribuojnë në nënpërfaqësimin e burrave në këtë fuqi punëtore. Stereotipet dhe paragjykimet shoqërore mund të përjetësojnë faktin se rolet edukuese dhe kujdestare janë në thelb femërore, duke i larguar burrat nga ndjekja e karrierës në arsimin parafillor. Për më tepër, shqetësimet rreth perceptimeve shoqërore dhe stigmës së mundshme që lidhet me burrat që punojnë në mjedise kryesisht “femërore” mund të krijojnë një pengesë dhe stagnim të madh.

Perceptimi i përgjithshëm mbi edukatorët burra është tejet negativ dhe fatkeqësisht ide e papranueshme për shumë prindër. Jo vetëm në Kosovë, por edhe në nivel global vërehet një përqindje e ulët e edukatorëve burra në arsimin parashkollor. Edhe pse kohëve të fundit ka pasur rritje, në përgjithësi numri i tyre mbetet i ulët.

Një studim i bërë nga Universiteti i Floridas, tregon se globalisht vetëm 3% e burrave janë të përfshirë si edukator në këtë nivel shkollor. Shembull, në Zelandë të Re përqindja arrin vetëm në 2.2%, në SHBA 2.3% dhe në Japoni 6%. Studimet në Norvegji, Danimarkë dhe Turqi treguan se burrat përbënin 5% të popullsisë së edukatorëve, por në shumicën e vendeve të tjera, përqindja ishte më pak se 3% (Dogutas, 2021).

Studimet mbi barazinë gjinore theksojnë rëndësinë e neutralizimit të gjinisë te edukatorët e arsimit parashkollor. Ndër përfitimet kryesore nga përfshirja e burrave si edukator, është ndryshimi i perspektives dhe diversitetit që u ofrohet fëmijëve në edukim. Studimet tregojnë gjithashtu se kur kishte më shumë diversitet të gjinive në arsim parashkollor, fëmijët kishin më pak tendenca të zhvillonin streotipe gjinore (Dogutas, 2021).

Nënpërfaqësimi i burrave në arsimin parafillor mbështetet nga një cikël reagimesh vetë-përforcuese që kanë implikime të thella për profesionin. Mungesa e edukatorëve burra krijon një mungesë të modeleve të dukshme në edukimin e fëmijërisë së hershme, veçanërisht për djemtë. Mungesa e figurave mashkullore në këto mjedise arsimore mund të përjetësojë pa dashje stereotipin se mësimdhënia për fëmijët  e vegjël është kryesisht një punë për gratë. Rrjedhimisht, djemtë që rriten në mjedise të tilla mund ta kenë të vështirë ta shohin arsimin parafillor si një rrugë karriere të qëndrueshme dhe të pranueshme për veten e tyre. Thyerja e këtij cikli është thelbësore për nxitjen e diversitetit më të madh gjinor në këtë fushë. Prezantimi dhe nxjerrja në pah e modeleve pozitive të burrave në arsimin parafillor nuk është vetëm thelbësore për sfidimin e stereotipeve të rrënjosura, por edhe për zgjerimin e këndvështrimeve të të rinjve, duke ilustruar se mësimdhënia është një profesion gjithëpërfshirës e i hapur për individët e të gjitha gjinive.

Ky dallim përkeqësohet edhe më shumë kur diskutojmë për hendekun ekonomik i cili luan një rol jetik në formësimin e zgjedhjeve të karrierës. Historikisht, profesionet e lidhura me gratë, përfshirë arsimin parafillor, janë nënvlerësuar, duke çuar në paga më të ulëta. Perceptimi i mësimdhënies në arsimin parafillor si një profesion më pak i rëndësishëm mund të jetë pengesë për burrat që konsiderojnë karrierën në këtë fushë, veçanërisht kur krahasohen me profesionet që perceptohen si më të dobishme financiarisht.

Problematikat që ndërthuren nga stereotipet dhe rolet gjinore, shihet qartë se ndikojnë jashtëzakonisht shumë në tregun e punës. Çmontimi i stereotipeve dhe sfidimi i roleve tradicionale gjinore nuk është vetëm një çështje e drejtësisë sociale, por është thelbësore për nxitjen e një tregu pune më gjithëpërfshirës dhe të barabartë. Duke njohur ndikimin e këtyre besimeve të rrënjosura në profesione si mësimdhënja në arsimin parashkollor, ne hapim rrugën për një të ardhme ku individët janë të lirë të zgjedhin profesionet e tyre pa u kufizuar nga pritshmëritë tradicionale. Përpos kësaj, përfshirja e edukatorëve burra mund të inkurajoj dhe të jap një imazh më pozitiv në punët e kujdesit për burrat, ku mund të nxisë përgjegjësinë e përbashkët për edukimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve.

Djemtë po braktisin shkollimin parauniversitar më shumë se sa vajzat

26.1.2024

Të gjithë fëmijët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë gjinore, obligohen ligjërisht që të përfundojnë

Çka duhet të rregullohet në Rregulloren Kundër Ngacmimeve Seksuale në UP?

18.12.2023

Universiteti i Prishtinës ka funksionuar për më shumë se 52 vjet pa një rregullim të brendshëm për n

Punë n’punë e punë n’shpi

8.12.2023

“Puna e papaguar” është term vetshpjegues. Në shumicën e rasteve i referohet punës ose shërbimeve që

Pse vajzat nuk po zgjedhin shkollat profesionale?

6.12.2023

Në Kosovë, ekzistojnë 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme duke përfshirë drej

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje nëpër prokuroritë e Kosovës

31.10.2023

Për të arritur një shoqëri të lirë nga dhuna në familje, është thelbësore që Kosova të vazhdojë përp

“Unë po ecja, ai më vinte prapa” – ngacmimi seksual dhe raportimi

25.10.2023

"Unë po ecja, ai më vinte prapa, dikur filloi të më thotë fjalë të pista e ofenduese, ndihesha e fri