5 folës burra radhazi kanë mbajtur fjalimet e tyre në takimin vjetor të organit kryesor të OKB-së për promovimin e barazisë për vajzat dhe gratë. Ky formacion i ka shqetësuar qindra gra dhe disa burra në dhomën e mbushur plot të Asamblesë së Përgjithshme.
Achim Steiner, kreu i Programit të Zhvillimit të OKB-së dhe i fundit nga folësit burra, nisi fjalimin e tij duke thënë: “Jam shumë i vetëdijshëm për faktin se jam edhe një burrë tjetër që ju drejtohet nga ky podium”.
Ambasadori i Kroacisë në OKB, Ivan Shimonoviç, folësi i tretë burrë që përfaqëson Këshillin Ekonomik dhe Social të OKB-së, kërkoi falje për mungesën e presidentes së këshillit, për të cilën tha se kishte një urgjencë familjare.
Gruaja e parë që foli ishte e gjashta në radhë, Chetna Gala Sinha, e cila përfaqësonte shoqërinë civile, dhe dalja e saj në podium u shoqërua me brohoritje e duartrokitje, raporton US News.
Pas saj, foli Sima Bahous, drejtore ekzekutive e UN Women. “Është fantastike të jesh këtu. Ndjej se energjia në dhomë po përmirësohet teksa shohim më shumë gra që ngjiten në skenë”, tha ajo.
Pothuajse çdo folës, pa dallim gjinie, foli për gjendjen e vështirë të grave dhe vajzave në Gaza dhe kërkuan që të gjithë të solidarizoheshin me gratë dhe vajzat e prekura nga konfliktet kudo në botë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, the se gratë dhe vajzat vuajnë më së shumti nga luftërat që i shkaktojnë burrat, duke ju referuar veçanërisht Gazës.