Alb Eng
Për QIKA 1≠1

A e dini se punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës paguhen veç 275 euro në muaj?!

QIKA 11.7.2024

Teksa brenda Kuvendit të Kosovës deputetët mbajnë mbledhje të zgjatura kinse po diskutojnë e preokupohen për të drejtat e njeriut/punëtorëve, brenda të njëjtit objekt eksploatohen punëtoret teknike të cilat kujdesen për mirëmbajtjen e hapësirave të po këtij institucioni.

Punëtoret teknike të Kuvendit tash e gjashtë vite paguhen nga 275 euro në muaj, kurse për tetë vitet e fundit paga u është rritur vetëm dy herë nga 20 euro. Atyre nuk u paguhen shujtat e ushqimit e as transporti e shpeshherë iu bie të punojnë me orar të zgjatur, për çka nuk kompensohen shtesë. Ndër të tjera, disa prej tyre shpesh kanë hasur parregullsi në pagesat e kontributeve të tyre.

Këto gra janë të punësuara nga një kompani private pastrimi përmes partneritetit publiko-privat. Sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, për çdo muaj Kuvendi ia paguan kësaj kompanie private nga 18 mijë euro, prej të cilave 9 mijë euro i mbesin fitim kompanisë.

QIKA mbështet protestën e drejtë dhe kërkesat legjitime të punëtoreve teknike të Kuvendit, si dhe të gjitha veprimet sindikale që do t’i ndërmarrin deri në arritjen e qëllimit.