Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Barazi e drejtësi për krejt!

8.4.2022

8 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Romëve, është një moment i rëndësishëm për t’iu kujtuar institucioneve përgjegjësinë që mbajnë në raport me shtypjen, diskriminimin dhe përjashtimin e pakicave etnike. Mungesa e qasjes në kushte të mira jetese, ushqim, punësim dhe shërbime shëndetësore, tregon për shkelje themelore të të drejtave njerëzore të një pjese të qytetarëve të Kosovës. Ekzistenca e një racizmi të hapur përforcon edhe më shumë përjashtimin social e ekonomik të romëve. Vajzat dhe gratë rome janë më të prekurat nga ky përjashtim; sepse për to diskriminimi gjithmonë është i dyfishtë. Andaj, edhe puna drejt përmirësimit të jetës së tyre duhet të jetë shumëdimensionale.

Është detyrë e shoqërisë në tërësi dhe e institucioneve në veçanti, që të rrisim ndërgjegjësimin për situatën e rëndë ekonomike e sociale të komuniteteve tona pakicë. Përpjekja për të mundësuar solidaritet më të madh me njëri tjetrin dhe për të gjetur përgjigje më të mira shtetërore ndaj margjinalizimit social dhe racizmit me të cilin përballen romët, duhet të jetë e përbashkët.

Me shpresën që angazhimi ynë për drejtësi e barazi do jetë i përditshëm – Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Romëve!