Jemi të indinjuara nga paraqitja e djeshme e Kryeministrit Kurti dhe Presidentes Osmani në ceremoninë e dorëzimit të flamurit për ekipin olimpik të Kosovës që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në Paris. Në një kohë kur ne si shoqëri duhet të jemi të bashkuar kundër çdo forme të dhunës, Kurti e Osmani mbështetën dje publikisht duke i përmendur emrin e lavdëruar xhudistin Akil Gjakova, i cili aktualisht është nën hetime për dhunë në familje. Gjithashtu ditë më parë kryeministri kishte publikuar edhe një video mbështetëse për ekipin ku ishte i pranishëm edhe xhudisti Gjakova.
Gjakova është denoncuar në polici në muajin prill të këtij viti për dhunë fizike dhe psikologjike nga gruaja e tij. Prokuroria kishte kërkuar masë paraburgimi për 30 ditë për xhudistin, por Gjykata e Pejës e kishte refuzuar të njëjtën. Megjithatë, Gjykata ka vendosur që atij i ndalohet t’i afrohet gruas në distancë prej 50 metrash në periudhë kohore një vjeçare. Pra denoncimi, kërkesa për paraburgim si dhe vendimi për ndalesë të afërsisë, janë bazuar në dyshime serioze lidhur me veprën të cilën po akuzohet.
Derisa respektojmë procesin gjyqsor, duhet të kujtojmë se mbështetja publike për individë të përfshirë në hetime të tilla dërgon mesazh të gabuar për viktimat e dhunës dhe për shoqërinë në përgjithësi. Dhuna në familje është çështje serioze që kërkon vëmendjen dhe veprimin e gjithë komunitetit, kështuqë personat me përgjegjësi publike/politike duhet të jenë shembull i solidaritetit dhe mbështetjes për viktimat, duke promovuar drejtësinë dhe barazinë.
Çdo veprim që ushqen normalizimin ose minimizimin e dhunës nuk është i pranueshëm dhe nuk përfaqëson vlerat që duhet të synojmë si shoqëri.