Alb Eng
Për QIKA

Ne qëndrojmë për dashuri dhe barazi!

18.3.2022

Draft Kodi Civil i propozuar për miratim sot në Kuvendin e Kosovës, njeh martesën si “bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”. Ky rregull është problematik, sepse është përjashtues. Nëse ky kod miratohet nuk do të lejohen martesat mes sekseve të njëjta. Ajo çka është lejuar me anë të këtij kodi janë bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me gjini të njëjta, dhe procedurat për këtë do të rregullohen me ligj të veçantë.E veçanta nuk është asnjëherë e barabartë. Një rregullim i veçantë ligjor për personat LGBTIQ+, vetëm sa e përjetëson diskriminim ndaj tyre.Ne kërkojmë që koncepti i martesës të jetë gjithëpërfshirës. Gjithçka tjetër është diskriminim mbi bazë të orientimit seksual dhe identiteteve të tjera gjinore. Edhe nëse të drejtat e premtuara përmes rregullimit me bashkësi civile korrespondojnë saktësisht me ato që rrjedhin nga martesa, kjo ndarje e veçantë nënkupton se stigma e statusit të klasit të dytë do të vazhdoj të mbizotëroj në marrëdhëniet shoqërore.QIKA beson dhe angazhohet për lirinë dhe të drejtën e secilit për të jetuar pa shtypje e diskriminim. Qeveritë e përkushtuara për barazi dhe emancipim kanë obligim të shtyjnë përpara të drejtat e të gjithë qytetarëve, pa dallim. Deklaratat e deputetëve që nxisin urrejtje ndaj grupeve të caktuara shoqërore, duhet të dënohen. Kërkojmë nga deputetët e Kuvendit që në përputhje me Kushtetutën e Kosovës të rregullojnë martesën në Kodin Civil në atë mënyrë që statusi i martesës t’iu njihet të gjithëve, pa diskriminim.