Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Në solidaritet me gratë në Poloni!

29.10.2020

Vendimi i ri kufizues për abortin në Poloni ka kthyer me të drejtë vëmendjen e mbarë botës mbi të drejtat riprodhuese të grave. Polonia tashmë kishte një nga ligjet më kufizuese mbi abortin në Evropë sipas të cilit gratë mund të ndërprisnin ligjërisht një shtatzëni vetëm nëse jeta e nënës ishte në rrezik, nëse fetusi  ishte i dëmtuar ose nëse shtatzënia ishte rezultat i një përdhunimi.

Sikur mos të mjaftonin këto kufizime, me vendimin e ri të gjykatës së lartë aborti konsiderohet si i paligjshëm edhe në rastin kur fetusi është i dëmtuar rëndë. Pra, gratë do të detyrohen të lindin edhe nëse fëmija i tyre nuk do të mund të mbijetojë pas lindjes.

Gratë polake që nga dita e vendimit po drejtojnë protestat e mëdha që kanë vërshuar rrugët e fshatrave e qyteteve. Mijëra protestues po kundërshtojnë fuqishëm këtë shtrëngim të ri ligjor i cili cenon drejtpërdrejtë trupin e jetën e grave.

Nga e kaluara e dimë se ndalimi i abortit me ligj nuk ndikon në uljen e shifrave të abortit. Ndalimet ligjore gjithmonë kanë shtyrë gratë të ndjekin rrugë të fshehura të cilat janë më të rrezikshme. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, abortet e pasigurta janë shkaku i tretë kryesor i vdekjeve të nënave në mbarë botën.

Duke dënuar ashpër këtë sulm ndaj lirisë së grave për të zgjedhur vet për trupin e tyre, ne përkrahim protestat e fuqishme që po ndodhin në Poloni.

Të drejtat e fituara me mund nga përpjekjet e grave nuk mund të kthehen prapa.

QIKA qëndron në solidaritet me gratë protestuese!

29.10.2020