Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Afër 2,4 miliardë gra në të gjithë botën nuk gëzojnë të njëjtat të drejta ekonomike njëlloj si burrat

QIKA 4.3.2022

Pavarësisht pandemisë, 23 vende përmirësuan ligjet për të avancuar përfshirjen ekonomike të grave në vitin 2021. Globalisht, gratë gëzojnë vetëm tre të katërtat e të drejtave ligjore krahasuar me burrat.

Sipas raportit të vitit 2022 të Bankës Botërore për Gratë, Biznesin dhe Ligjin, rreth 2,4 miliardë grave nuk u ofrohen mundësi të barabarta ekonomike dhe 178 vende kanë barriera ligjore që pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë ekonomike. Në 86 vende gratë përballen me një formë të kufizimit të punës dhe 95 vende nuk garantojnë pagë të barabartë për punë të barabartë.

Ky raport mat ligjet dhe rregulloret në 190 vende të botës në tetë fusha që ndikojnë në pjesëmarrjen ekonomike të grave, të tilla si mobiliteti, vendi i punës, paga, martesa, prindërimi, sipërmarrja, asetet dhe pensionet. Të dhënat ofrojnë standarde objektive dhe të matshme për progresin global drejt barazisë gjinore. Nga 38 vende që janë pjesë e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, vetëm 12 prej tyre kanë barazi ligjore gjinore.

Këtë vit, është bërë një studim pilot në 95 vende të botës për të rregulluar ligjet për kujdesin ndaj fëmijëve, me ç’rast nevojitet mbështetje për gratë që të kenë sukses në punësimin me pagesë. Ndër të tjera është përfshirë edhe një analizë se si të zbatohen ligjet që ndikojnë në fuqizimin ekonomik të grave. Kështu, rajonet e Lindjes së Mesme, Afrikës së Veriut dhe Afrikës Sub-Sahariane treguan përmirësime të mëdha në vitin 2021, por megjithatë mbeten prapa krahasuar me vendet e tjera. Gaboni shquhet për reformat gjithëpërfshirëse në kodin civil dhe miratimin e ligjit për eliminimin e dhunës ndaj grave, ku rezultati i këtij vendi u rrit nga 57,5 në vitin 2020 në 82,5 në 2021, raporton The World Bank.

“Edhe pse është bërë progres, hendeku midis fitimeve të burrave dhe grave gjatë gjithë jetës në nivel global është 172 trilion dollarë, gati dy herë më shumë se PBB-ja vjetore e botës”, tha Mari Pangestu, drejtore menaxhuese e Politikave të Zhvillimit dhe Partneriteteve të Bankës Botërore. Sipas saj, duhet përshpejtuar ritmi i reformave ligjore në mënyrë që gratë të kenë mundësi të realizojnë potencialin e tyre plotësisht dhe të përfitojnë në mënyrë të barabartë.

Në nivel global, numri më i madh i reformave është bërë në treguesit e Prindërimit, Pagës dhe Vendit të Punës. Shumë reforma u fokusuan në mbrojtjen kundër ngacmimeve seksuale në punësim, ndalimin e diskriminimit gjinor, rritjen e lejes së paguar për prindërit e rinj dhe heqjen e kufizimeve të punës për gratë. Sipas Carmen Reinhart, zëvendës president dhe krye ekonomiste e Grupit të Bankës Botërore, gratë nuk mund të arrijnë barazi në vendin e punës nëse përballen me pabarazi në shtëpi.

Në të gjithë botën, 118 vende garantojnë 14 javë pushim me pagesë për nënat. Më shumë se gjysma, pra 114 vende matën mandatin e pushimit të paguar për baballarët, por kohëzgjatja mesatare është vetëm një javë. Vitin e kaluar, Kina e cila më parë ofronte vetëm 10 javë pushim me pagesë për nënat tani ka zgjatur pushimin deri në 14 javë, ndërsa Armenia, Zvicra dhe Ukraina shtuan pushimin e paguar të atësisë. Vendet si Kolumbia, Gjeorgjia, Greqia dhe Spanja prezantuan lejen prindërore me pagesë, e cila u ofron të dy prindërve një formë të lejes së paguar me rastin e përkujdesjes për fëmijët e porsalindur. Në vitin 2021, Greqia, Spanja dhe Zvicra reformuan ligjet e tyre, duke u fokusuar në përmirësimin e lejes së paguar për prindërit e rinj.

Rajoni i Azisë Lindore dhe Paqësorit vazhdon të reformojë legjislacionin e saj drejt barazisë gjinore edhe pse me një ritëm të ngadaltë, ndërsa Kamboxhia ka prezantuar një sistem pensioni të pleqërisë që

përcakton mosha të barabarta në të cilat gratë dhe burrat mund të dalin në pension dhe të gëzojnë përfitime të plota pensioni. Vietnami ka eliminuar të gjitha kufizimet sa i përket punësimit të grave.

Gratë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut gëzojnë mesatarisht vetëm gjysmën e të drejtave ligjore krahasuar me burrat, megjithatë ky rajon ka filluar të përmirësoj ligjet e tij. Kuvajti ndaloi diskriminimin gjinor në punësim dhe miratoi legjislacionin për ngacmimin seksual në punësim, ndërsa Libani miratoi legjislacionin që kriminalizon ngacmimin seksual në punësim.

Vendet me ekonomi të përparuar që shënojnë shkallën 100 të progresit në këto çështje janë: Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Franca, Greqia, Islanda, Irlanda, Letonia, Luksemburgu, Portugalia, Spanja dhe Suedia.