Në hapësirat e mediumit Klan Kosova, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist realizoi një aksion protestues si reagim ndaj rastit të fundit ku Drenusha Latifi e bëri publike përvojën e saj të dhunës nga ish-bashkëshorti në një emision të këtij mediumi. I njëjti emision më pas e ka ftuar dhunuesin e saj duke i dhënë kështu mundësinë që të shfajësohet.
Nën sloganin “Klan, dhuna ndaj grave nuk është mall që shitet”, aktivistet/ët i konsideruan këto veprime si praktikë të mirëformuar të mediave në Kosovë e cila riviktimizon gratë dhe dhunën e shndërron në spektakël, duke u bashkangjitur kështu në karvanin e strukturave që prodhojnë dhe mirëmbajnë dhunën.
“Nga hapësirat e Klan Kosovës ne duam t’iu rikujtojmë të gjitha institucioneve shtetërore dhe joshtetërore që ju jeni bashkëfajtore për dhunën që po iu ndodhë grave. E gjithashtu ua rikujtojmë se bashkëfajësia juaj na mobilizon kundër jush dhe na e forcon edhe më tej vendosshmërinë tonë për të luftuar me trupat tanë për lirinë tonë”, thuhet në deklaratën e Kolektivit.