Aktivistet feministe Anita Mjeku dhe Neri Ferizi janë liruar nga aktakuza për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, e ngritur pas aksionit të mbajtur më 1 dhjetor 2022 në kuadër të protestës kundër femicidit, pas vrasjes së Hamide Magashit në oborrin e QKUK-së.
Të dyja ishin arrestuar gjatë një aksioni para Qeverisë së Kosovës dhe ishin dërguar në mbajtje për 48 orë. Që nga ajo kohë, ato kanë qenë në proces gjyqësor.
Lajmin për lirimin e tyre e kanë bërë të ditur vetë aktivistet përmes rrjeteve sociale.
Në reagimin e saj, Neri Ferizi e cilësoi vendimin si një lehtësim të madh pas një periudhe të gjatë të mbushur me stres, padrejtësi dhe lodhje emocionale.
Ndërkaq, Anita Mjeku e ka cilësuar këtë vendim si fitore politike, duke thënë se rasti ka qenë përpjekje për ta kriminalizuar rezistencën dhe për ta disiplinuar organizimin feminist.
Mjeku ka rikujtuar se aksioni i 1 dhjetorit 2022 ishte organizuar si revoltë ndaj shtetit dhe sistemit patriarkal, një ditë pas vrasjes së Hamide Magashit, të cilën e kishte vrarë ish-burri i saj në oborrin e QKUK-së, ani pse kishte urdhërmbrojtje.