Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Aktivistet kërkojnë drejtësi pas vrasjes së Noor Mukadam, vajzës së ambasadorit në Pakistan

QIKA 9.8.2021

Shumë pak raste të femicidit bëhen tituj kryesor në Pakistan, por prerja e kokës së vajzës së një ambasadori duket të jetë një shansë për të luftuar një sistem ligjor, i cili sipas aktivistëve ka dështuar vazhdimisht të mbrojë viktimat e dhunës.

Sipas një raporti policor të parë nga CNN, Noor Mukadam, 27 vjeçe, vdiq më 20 korrik pasi u torturua dhe u vra nga Zahir Jaffer, djali 30-vjeçar i një familje me ndikim dhe një shtetas i dyfishtë (Pakistan-SHBA).

Në ditët pas vdekjes së saj, pakistanezët kërkuan #JusticeforNoor në Twitter dhe një faqe GoFundMe u hap për të mbledhur para për tarifat ligjore të familjes së saj. Mesa duket familja e Mukadam do përballet me një betejë të gjatë juridike, pavarësisht pretendimeve për “prova të forta rrethanore dhe ligjore” të fajit të Jaffer.

Jaffer u arrestua në vendin e sulmit dhe më vonë u akuzua për vrasje me paramendim. Avokati i tij, Ansar Nawaz Mirza, tha se ai nuk kishte folur me Jaffer që nga sulmi i supozuar, por tha se klienti i tij “meriton një gjykim të drejtë”.

Aktivistët po përdorin këtë rast për të ripërtërirë thirrjet për parlamentin e vendit që të miratojë një ligj që kriminalizon dhunën në familje. Edhe pse ligji – nëse miratohet – do të zbatohet vetëm për territorin e kryeqytetit Islamabad, aktivistët besojnë se do të inkurajojë provincat e tjera të miratojnë legjislacion të ngjashëm pasi kryeqyteti kontrollohet nga partia në pushtet.

Këshilli që shqyrton projektligjet ka një histori të keqe sa i përket parandalimit të dhunës në familje – në vitin 2016, ai propozoi projektligjin për të lejuar burrat të “rrahin lehtë” gratë e tyre.

Aktivistet e të drejtave të grave kanë frikë se këshilli konservator do të përdorë ndikimin e tij në legjislacion për të shuar projektligjin, duke dërguar një mesazh se dhuna ndaj grave në shtëpitë e tyre është e lejuar apo edhe e falur.