Nawal Saadawi, psikiatre dhe noveliste e njohur egjiptiane, e cila njihet si feministja kryesore në botën arabe, ndërroi jetë në moshën 89 vjeçare si pasojë e problemeve shëndetësore.
Saadawi bëri fushatë për të drejtat e grave dhe revolucionarizoi diskutimet për gjininë në Egjipt. Ajo u burgos në vitin 1981 nën qeverinë e Presidentit Anwar Sadat për shkak të pikëpamjeve të saj. Aktivizmi i saj kontribuoi që vendi të ndalojë gjymtimin gjenital të grave në vitin 2008.
Ajo ka punuar si psikiatre dhe ligjeruese universitare si dhe është autore e dhjetëra librave. Ndër librat e saj më të spikatur janë ‘Gratë dhe seksi’ të cilin e botoi në 1972, si dhe ‘Kujtime nga burgu i grave’ të cilën e shkroi nga përvojat e saj gjersa ishte e burgosur. Përveç që njihej si mbrojtëse e pashoqe e të drejtave të grave në Egjipt dhe botën Arabe, shkrimet e Saadawi u përqendruan kryesisht në feminizëm dhe dhunën në familje.
Saadawi ishte themeluese dhe kryesuese e Shoqatës së Solidaritetit të Grave Arabe dhe bashkëthemeluese e Shoqatës Arabe për të Drejtat e Njeriut. Asaj iu nda çmimi ndërkombëtar Inana në 2005 në Belgjikë, një vit pasi morri çmimin nga Këshilli i Evropës. Ndërsa, në vitin 2020 Time Magazine e emëroi atë një ndër 100 Gratë e Vitit.
Ministri i Kulturës i Egjiptit, Inas Abdel-Dayem, mbajti zi për vdekjen e Saadawi, duke thënë se shkrimet e saj kanë nxitur një lëvizje intelektuale.