Pavarësisht protestave të përhapura dhe thirrjeve për veprim pas një numri të konsiderueshëm të femicideve në vitet e fundit, autoritetet e Kosovës po dështojnë të mbrojnë viktimat e dhunës në familje, thuhet në një raport të ri nga Amnesty International.
Raporti, “Nga letra në praktikë: Kosova duhet të mbajë zotimet ndaj të mbijetuarve të dhunës në familje”, shtjellon detaje mbi atë se si të mbijetuarit/at e dhunës në familje, shumica e të cilëve/ave janë gra dhe vajza, përballen me pengesa të shumta për të marrë mbrojtje dhe qasje në drejtësi e mbështetje.
Rina Kika, autore e raportit, ka shkruar se “gjetjet e hulumtimit tonë tregojnë se personat e mbijetuar të dhunës në familje në Kosovë, shumica e të cilëve janë gra dhe vajza, përballen me pengesa të shumta në secilin hap të rrugëtimit të tyre për t’u larguar nga situatat abuzive: duke u nisur nga mungesa e informatave për asistencën në dispozicion, keqtrajtimin nga zyrtarët policorë, punëtorët socialë të mbingarkuar dhe shërbimet e pamjaftueshme mbështetëse”.
Në publikimin e raportit, Amnesty International shkruan se “në vitet e fundit autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa të konsiderueshëm për të forcuar legjislacionin dhe për të përmirësuar politikat për të adresuar nevojat e të mbijetuarve. Së fundmi, në mars 2023, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi në lexim të parë projektligjin e ri për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhunën ndaj grave dhe dhunën me bazë gjinore. Kjo është kryesisht e harmonizuar me Konventën e Stambollit dhe konventat e tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe përfshin politika gjithëpërfshirëse kundër dhunës me bazë gjinore”.
Megjithatë raporti gjeti boshllëqe të shumta në procesin e mbështetjes nga shteti për të mbijetuarat e dhunës në familje si dhe poashtu tregon për mungesë të lartë veprimi për t’i përfshirë viktimat në vendimmarrje. Disa nga këto boshllëqe sipas raportit përfshijnë barrierat përgjatë kompensimit financiare dhe ofrimin e ushqimit e strehimit.
Një e gjetur tjetër lidhet me paragjykimet e shumta nga zyrtarët e policisë, punonjësit social e mbrojtësit e viktimave që rrallë herë informojnë viktimat për drejtat e tyre ose mjetet juridike dhe ndihmën që mund të marrin. Të mbijetuarat nga komunitetet e pakicave etnike si komunitetet serbe, rome, ashkali dhe egjiptiane, si dhe të mbijetuarat nga komuniteti LGBTI raportohet që përballen me barriera shtesë për shkak të formave të ndërthurura të diskriminimit me të cilat përballen.
Kika, e cila ka qenë pjesë e ekipit hulumtues tregon se “gjykatat në Kosovë asnjëherë nuk i japin dëmshpërblim të mbijetuarave në procedurë penale, edhe pse mund ta bëjnë këtë në bazë të ligjit”. Ky përfundim, sipas njoftimit të autores, vjen pas shqyrtimit të një mostre sistematike të 197 aktgjykimeve penale të pesë viteve të fundit të rasteve të dhunës në familje në Kosovë.
Raportin e plotë mund ta gjeni në: https://www.amnesty.org/en/documents/eur73/7123/2023/en/