Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Aplikacioni që po ndihmon gratë të jenë të sigurta në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar

QIKA 20.12.2021

Ngacmimi seksual ndaj grave ka qenë në rritje këtë vit në Mbretërinë e Bashkuar, me ç’rast këto të fundit kanë përdorur mënyra nga më të ndryshmet për tu ndjerë më të sigurta. Shifrat e fundit nga Zyra Kombëtare e Statistikave në Britani tregon se gjysma e grave janë ndjerë të pasigurta teksa ecnin vetëm gjatë natës.

WalkSafe është aplikacioni i themeluar nga Emma Kaye, i cili shërben për sigurinë e grave ndaj ngacmimeve seksuale. Që nga vrasja e Sarah Everard dhe Sabina Nessa, ky aplikacion ka pasur një rritje të popullaritetit në tërë Mbretërinë e Bashkuar. Kaye pohoi se vitin që vjen aplikacioni do të përsoset edhe më shumë, duke përfshirë një hartë në të cilën familjarët dhe miqtë do të kenë mundësinë të gjurmojnë rrugën në të cilën ecin përdoruesit e këtij aplikacioni si dhe të bisedojnë me ta në kohë reale.

Për momentin, WalkSafe ka në dispozicion një hartë e cila u lejon njerëzve të marrin informata se cila është rruga më e sigurt për të shkuar në shtëpi, bazuar në të dhënat e fundit të krimeve që ndodhin. Që kur ky aplikacion u lansua në mars të vitit 2021, ka pasur më shumë se 560,000 shkarkime, raporton BBC.

Ndërsa, në Universitetin Bath, studiuesit po zhvillojnë një aplikacion që përdoret në orët inteligjente të quajtur Epowar, i cili dërgon automatikisht alarme nëse e ndjen se përdoruesi i orës është në ankth, e gjitha kjo përmes monitorimit të rrahjeve të zemrës dhe lëvizjeve të trupit. Sipas të dhënave të Shërbimit të Prokurorisë, vetëm në vitin 2020 ka pasur 58,845 përdhunime të regjistruara, ku vetëm 2,102 prej tyre u ndoqën penalisht, ndërsa u dënuan 1,439.

Në korrik të këtij viti, qeveria britanike nisi një fond prej 5 milionë funta për të ndihmuar në përmirësimin e sigurisë së grave në hapësirat publike gjatë natës. Kështu, policia e Bristol po përdor mjete për të testuar nëse është vendosur drogë në pije në klubet e natës, ajo e Cheshire po përmirëson teknologjinë aktuale të thirrjeve për të ofruar përgjigje të menjëhershme, ndërsa autoritetet në West Yorkshire po promovojnë qasjen për tu lidhur në internet me informacion sigurie për gratë në transportin publik, duke gjurmuar autobusët.