Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Arrestohet dhunshëm studentja që u zhvesh në shenjë proteste në Teheran

QIKA 4.11.2024

Një studente në Universitetin Azad në Teheran, të shtunën, u zhvesh në të brendshme dhe zbuloi flokët në shenjë proteste pasi ishte sulmuar nga rojat e sigurimit të kampusit për shkak të hixhabit. Nëpër mediat sociale qarkullojnë video të shumta ku shihet studentja e zhveshur teksa ulej në kampus, kolegët studentë që e filmojnë vazhdimisht dhe rojat e sigurimit teksa e rrethojnë.

Sipas kanalit të rrjeteve sociale studentore në Iran, buletinit Amir Kabir, akti i saj i rezistencës filloi pas një konfrontimi brenda qendrës shkencore dhe kërkimore të universitet, ku e anëtarët e Basij, një grup paraushtarak vullnetar iranian, e kishin ngacmuar dhe sulmuar fizikisht studenten për shkak se nuk mbante shami. Në përgjigje të grisjes së rrobave të saj, ajo vendosi të hiqte rrobat e saj të mbetura, sipas dëshmitarëve që folën për The Telegraph.

Amnesty International deklaroi se të shtunën studentja është arrestuar dhunshëm, pasi ajo protestoi kundër “zbatimit abuziv” të kodit të veshjes në Universitetin Islamik Azad të Teheranit. Këtë e konfirmojnë pamjet e publikuara ku shihen rreth 10 roje sigurie duke e futur me forcë në një automjet.

Amnesty bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të studentes dhe kërkoi që asaj t’i jepet qasje në familjen dhe avokatin e saj.

Drejtori i marrëdhënieve me publikun e Universitetit Azad tha në një postim në X se ekipi i sigurisë së universitetit kishte ndërhyrë “pas aktit të pahijshëm të një prej studenteve” dhe e kishin çuar atë në një stacion policie. I njëjti në një postim të mëvonshëm duke cituar një raport të policisë, tha se studentja “ishte nën presion të rëndë mendor dhe kishte një çrregullim mendor”.

Mbajtja e hixhabit në publik është e detyrueshme për gratë sipas interpretimit të rreptë të ligjit islamik të Iranit që zbatohet nga e ashtuquajtura policia e moralit të vendit, dhe gratë iraniane rrezikohen nga dënime të ashpra, madje edhe për shkelje të vogla.