Mary Beth Edelson, një artiste që përdori punën e saj për të rritur ndërgjegjësimin për lëvizjen feministe dhe për të fuqizuar gratë, vdes në moshën 88 vjeçare.
“Arritjet e Mary Beth si një artiste dhe aktiviste pioniere feministe vazhdojnë të ndryshojnë rrjedhën e historisë së artit”, deklaroi galeria e artit. “Trashëgimia e saj do të vazhdojë të jetë frymëzuese dhe e gjerë”, shtoi ajo.
Që nga vitet 1970, Edelson ka krijuar fotografi, skulptura dhe projekte bashkëpunuese që ishin si një kundërpërgjigje ndaj shfrytëzimit dhe nënshtrimit të grave me shekuj. Në artin e saj, gratë arritën statusin si perëndeshë e gjithashtu u formuan rrjete të artisteve femra. Si figurë që u integrua brenda qarqeve artistike feministe të viteve ’70, Edelson pati ngritje të vonshme në karrierë, kur puna e saj u njoh për punën e saj inovatore.
Në serinë e saj më të famshëme, “Woman Rising”, Edelson fotografoi veten lakuriq me poza duke mbajtur gjoksin ose duke hapur këmbët për të bërë të dukshme vagjinën e saj. Në këto fotografi, Edelson shtoi imazhe të kolazhuara dhe elemente që u jepnin veprave një cilësi mistike. Këto fotografi prishin nënshtrimin e seksualitetit të grave dhe imagjinojnë fuqinë nga një perspektivë femërore.
Edelson ishte gjithashtu e përfshirë në dy kolektiva feministe që kanë merita për formësimin e artit të epokës. Ajo ishte e lidhur me A.I.R., një galeri e Nju Jorkut e drejtuar nga gra që formuan atë që është konsideruar kolektivi i parë i artit feminist në SH.B.A. Ndërsa në 1977, ajo u bë një nga anëtarët themeluese të kolektivit Heresies i cili prodhoi një revistë që trajtonte çështje të tilla si feminizmi dhe arti.