Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, sistemi shtetëror i Kosovës ka treguar mangësi në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Auditimi poashtu ka konstatuar se nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave. Këto përfundime janë nxjerrur nga raporti i auditimit të performancës “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” për periudhën 2020-2022.
“Sa i përket mbrojtjes, në sistemin shtetëror janë evidentuar disa mangësi në drejtim të mbrojtjes për viktimat e dhunës në familje. Monitorimit të zbatimit të urdhrave mbrojtës i mungon një procedurë e standardizuar, duke çuar në mbikëqyrje të paqëndrueshme dhe boshllëqe të mundshme në mbështetjen e viktimave në aspektin e sigurisë fizike”, shkruhet në raportin e publikuar nga ZKA-ja.
Sipas këtij raporti në aspektin e rehabilitimit viktimat nuk marrin mbështetjen e duhur. “Strehimoret, pavarësisht se ofrojnë shërbime rehabilitimi emergjent, hasin në pengesa në funksionimin e tyre për shkak të bashkëpunimit dhe mbështetjes së pamjaftueshme institucionale. Procesi pengohet nga vonesat në seancat gjyqësore dhe mungesa e informacionit për procesin gjyqësor. Mungon mbështetja psikologjike për viktimat dhe mungojnë programet për rehabilitimin e autorëve. Gjithashtu, viktimat nuk janë gjithmonë të informuara për të drejtën e tyre për kompensim material gjatë kësaj faze” thuhet në raport.
Rezultatet nga ky raport i auditimit poashtu tregojnë se gjykatat i trajtojnë rastet e dhunës në familje me vonesë.
“Gjykatat themelore ende ballafaqohen me bartje të lëndëve të pazgjidhura nga vitet paraprake, ku disa prej tyre janë që nga viti 2016. Procesi i trajtimit në procedurë penale te rastet e dhunës në familje merr kohë më shumë se një vit. Po ashtu, vërehet mungesa e angazhimit institucional në regjistrimin e të dhënave në Data Bazën Nacionale për rastet e dhunës në familje”, thuhet më tutje në komunikatë.
Raportin e plotë mund ta gjeni në: https://zka-rks.org/ëp-content/uploads/2023/08/Raporti_Audititmit_Dhunanefamilje-shqip.pdf