Rregullat që ndalojnë burrat homoseksualë dhe biseksualë në Australi për të dhuruar gjak dhe plazmë do të hiqen duke filluar nga data 14 korrik të këtij viti.
Rregullat aktuale ndalojnë burrat homoseksualë dhe biseksualë, si dhe gratë transgjinore që kanë kryer marrëdhënie seksuale me burra gjatë tre muajve të fundit, të dhurojnë gjak apo plazmë, raporton the Guardian.
Me heqjen e kësaj rregulle, shumica e personave HIV-negativë që marrin ilaçe antiretrovirale për të parandaluar infektimin me HIV (PrEP) do të jenë në gjendje të dhurojnë plazmë pa periudhë pritjeje.
Shërbimi kombëtar për dhurimin e gjakut, qumështit dhe mikrobiotës parashikon rreth 24,000 dhurues shtesë dhe 95,000 dhurime shtesë të plazmës çdo vit.
“Hulumtimet dhe modelet e gjera tregojnë se nuk do të ketë asnjë ndikim në sigurinë e furnizimit me plazmë nga ky ndryshim”, thuhet në një deklaratë nga Lifeblood, Kryqi i Kuq Australian.
Drejtori ekzekutiv i Health Equity Matters, Dash Heath-Paynter, tha se ky ndryshim “potencialisht mundëson mijëra dhurime të plazmës që shpëton jetë, e cila është shumë e kërkuar në spitalet australiane”.
Të gjithë dhuruesve do t’u bëhen të njëjtat pyetje në lidhje me aktivitetin e tyre seksual, dhe shumica e njerëzve që janë në një marrëdhënie seksuale prej gjashtë muajsh apo më shumë me një partner të vetëm do të jenë të përshtatshëm për të dhuruar gjak. Shumica e njerëzve me partnerë të rinj ose të shumtë gjithashtu do të mund të dhurojnë, nëse nuk kanë kryer marrëdhënie anale gjatë tre muajve të fundit.
“Falënderojmë TGA dhe Lifeblood për heqjen e një ndalese që kufizonte furnizimin me gjak të sigurt dhe stigmatizonte burrat homoseksualë, biseksualë dhe gratë trans që kanë marrëdhënie seksuale me burra, duke i trajtuar si kërcënim për shëndetin publik”, tha zëdhënësi i fushatës Let Us Give, Rodney Croome.
Sipas tij, njerëzit LGBTIQA+ dhe aleatët e tyre kanë punuar për dekada për të arritur një politikë neutrale ndaj gjinisë për dhurimin e gjakut.
“Përvoja ndërkombëtare tregon se pyetjet neutrale ndaj gjinisë për të gjithë dhuruesit sjellin përfitime të dyanshme, nuk rrisin rrezikun për përhapjen e sëmundjeve, hapin burime të reja jetike për gjak të sigurt dhe e bëjnë furnizimin me gjak më pak diskriminues”.