Sipas raportit të publikuar nga institucioni i Avokatit të Popullit, Ex-officio nr. 468/2022, në rastin e trafikimit dhe dhunimit të 11-vjeçares në vitin 2022, institucionet publike kanë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të fëmijëve, më saktësisht nuk kanë kryer detyrimet pozitive për mbrojtjen e fëmijës nga dhuna.
Korniza ligjore në Kosovë garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut përfshirë edhe të drejtat e fëmijës. Në rastet e abuzimit seksual, fëmijët janë veçanërisht të cenueshëm dhe e drejta për dinjitet njerëzor, për integritet fizik dhe psikologjik kërkon vëmendje të veçantë.
Qëllimi i raportit, i iniciuar si rast me 31 gusht 2022, është të tërheqë vëmendjen e institucioneve publike lidhur me detyrimet pozitive të shtetit përkitazi me mbrojtjen e fëmijës nga dhuna. Raporti vlerëson se sa kanë qenë efektive, të arsyeshme dhe të shpejta veprimet e ndërmarra nga institucionet kompetente shtetërore, me qëllim të mbrojtjes së fëmijës nga dhuna, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet si dhe me instrumentet e tjera ndërkombëtare.
Institucioni i Avokatit te Popullit (IAP) për të marrë informata ka kontaktuar me Qendrën për Punë Sociale (QPS), Policinë e Kosovës, Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV) dhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Sipas raportit, qasja e zyrtarëve përgjegjës nuk ka qene në përputhje me procedurat dhe me standardet që kërkohen te zbatohen ne rastet kur viktima është fëmijë.
“Sipas të dhënave nga shkresat e lëndës, del se autoritetet shtetërore, edhe pse ishin të njoftuara për rrezikun e lartë që i kanosej fëmijës në rastin e parë ku raportohej për trafikim, në kundërshtim me praktikat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ishte vendosur që fëmija të kthehej në shtëpi pa ndërmarrjen e masave të tjera shtesë mbrojtëse. Rreth një muaj më vonë, më 28 gusht 2022, fëmija ishte paraqitur përsëri në Policinë e Kosovës, ku ishte iniciuar rasti për veprën penale të dhunimit”, thuhet në raport.
Avokati i Popullit konstaton se Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe për pasojë Policia, kishin dështuar në ushtrimin efektiv të mandatit të plotë të tyre për ndërmarrjen sa më të shpejtë të veprimeve në mbrojtjen e fëmijës nga dhuna, siç kërkohet nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës dhe nga Udhëzimi Nr.02/2021.
Sipas dokumentacionit të çështjes, Avokati i Popullit vëren se fëmija, me 22 qershor 2022, ishte dërguar në Strehimore dhe seanca e parë psikoterapike ndaj saj kishte filluar tek me 28 qershor 2022, krejt kjo ne mungesë të psikologut në këtë qendër.
“Avokati i Popullit, pas rishikimit të legjislacionit përkatës vendor dhe ndërkombëtar, të dokumentacionit të çështjes, të informatave dhe të të dhënave të paraqitura nga institucionet përkatëse, konstaton se në rastin konkret ka pasur shkelje të të drejtave dhe të lirive themelore të fëmijëve, përkatësisht shkelje te detyrimeve pozitive të shtetit për mbrojtjen e fëmijës nga keqtrajtimi dhe trajtimi jonjerëzor, sipas nenit 3 të KEDNj, neneve 19 dhe 34 te KDF, nenin 56 të Konventës se Stambollit dhe neneve 5, 11.2, 15 (1.2) dhe 24 të LMF-se, meqë Prokuroria, Qendra për Punë Sociale, Policia dhe Mbrojtësi i Viktimave ishin ne dijeni për rrezikun që i kanosej fëmijës dhe kishin dështuar t’i ndërmerrnin të gjitha masat e arsyeshme për ta mbrojtur atë. Andaj, Avokati i Popullit konsideron se institucionet e përfshira mbajnë përsipër barrë më të lartë të përgjegjësisë dhe do të duhej të ishin në gjendje ta perceptonin dhe ta parashikonin më mirë rrezikun, i cili i kanosej fëmijës”, thuhet në raport.