Alb Eng
Për QIKA

Mirë se vini!

Interesimi juaj për t’u bashkuar me QIKA na gëzon tej mase 😊

Ne jemi gjithmonë në kërkim të vajzave dhe djemve që dëshirojnë të angazhohen dhe ndihmojnë nismën tonë feministe. Kreativiteti dhe energjia juaj do të jenë pikë thelbësore dhe e qëndrueshme e punës sonë.

Nëse keni dëshirë të bashkëpunoni me ne, këto janë mundësitë që ofrojmë:

Hulumto dhe shkruaj me QIKA

Nëse jeni të interesuar që të hulumtoni dhe analizoni zhvillimet shoqërore e politike nga perspektiva feministe, ne duam t’iu inkurajojmë të punojmë së bashku.

Ne dëshirojmë të dëgjojmë nga ju ide për hulumtime, intervista, reportazhe, opinione apo ese mbi libra dhe filma që kanë në fokus barazinë gjinore. Kjo formë e bashkëpunimit është një mundësi për të gjithë ju që keni dëshirë të mësoni dhe përmirësoni shkrimin gazetaresk sepse ne do të ofrojmë mentorim dhe ndihmë gjatë gjithë procesit të hulumtimit.

Është më rëndësi që të keni menduar mirë çështjen që planifikoni të trajtoni si dhe të keni informatat dhe të dhënat e nevojshme për të nisur tek QIKA një propozim konkret. Ne do të pranojmë vetëm propozimet që janë në përputhje me politikat tona redaktoriale. Për të propozuar tekste për hulumtim ju lutem plotësoni formularin që e gjeni në këtë vegëz.

Përkthe me QIKA

Mungesa e teksteve feministe në gjuhën shqipe shumëkënd e ka privuar nga ekspozimi ndaj teorive dhe zhvillimeve që lidhen me problemet e grave sot në botë. Ne jemi duke u munduar të plotësojmë këtë hendek, mirëpo kapacitetet tona janë të limitura dhe për këtë kërkojmë kontributin tuaj.

Kushdo që vlerëson se mund të përkthej tekste, artikuj apo opinione në gjuhën shqipe, ju lutem të na kontaktoni. Tekstet duhet të propozohen nga ju dhe të jenë nga burime relevante. Për të propozuar tekste për përkthim ju lutem plotësoni formularin që e gjeni në këtë vegëz.

Angazhohu me QIKA

Qendra jonë bashkon nën një ombrellë gazetarë e aktivistë të interesuar në çështjet gjinore e sociale. Mirëpo ne synojmë të zgjerohemi çdo ditë e më shumë, duke rritur kështu numrin e mbështetësve dhe aktivistëve që bashkohen në aktivitetet tona.

Ne organizojmë diskutime mujore mbi libra, artikuj, filma dhe dokumentarë të ndryshëm që trajtojnë çështjet gjinore dhe të drejtat e njeriut. Poashtu ne realizojmë aksione simbolike e protestuese në hapësira publike si reagim ndaj vendimeve diskriminuese të institucioneve apo kritikë ndaj paragjykimeve e miteve në shoqëri. Për t’u angazhuar në aktivitetet tona ju lutem plotësoni formularin që e gjeni në këtë vegëz.