Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Bizneset e grave përbëjnë më pak se 10% të anëtarëve në odat ekonomike

QIKA 13.11.2024

Instituti GAP ka publikuar raportin “Mundësitë e rrjetëzimi për bizneset e grave dhe pakicave etnike në Kosovë”, i cili analizon mundësitë që ofrojnë odat ekonomike dhe shoqatat e biznesit në Kosovë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në pronësi të grave dhe pakicave etnike.

Pavarësisht përpjekjeve të shoqatave të bizneseve për të promovuar përfshirjen gjinore, bizneset në pronësi të grave mbeten të nën-përfaqësuara në shumicën e rrjeteve të bizneseve, duke përbërë më pak se 10% të anëtarëve në odat ekonomike dhe më pak se 20% në shoqatat e tjera të biznesit.

Gjetjet e raportit tregojnë se shumica e bizneseve në pronësi të grave dhe pakicave etnike në Kosovë e njohin rëndësinë e angazhimit në aktivitete rrjetëzimi. Megjithatë, një nga pengesat kryesore për angazhimin e bizneseve të grave dhe të pakicave në odat ekonomike dhe shoqatat e biznesit është tarifa e lartë e anëtarësisë. Sipas të dhënave të raportit, tarifa mesatare vjetore e anëtarësisë arrin në 1,233 euro për odat ekonomike dhe 368 euro për shoqatat e tjera të biznesit, një shumë kjo e papërballueshme për shumë ndërmarrje mikro dhe të vogla në pronësi të grave dhe pakicave etnike.

Sipas raportit edhe kriteret e rrepta të vendosura nga Agjencia Kosovare për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), përfshirë kërkesat e larta të qarkullimit vjetor, përjashtojnë një pjesë të konsiderueshme të bizneseve në pronësi të grave nga mundësia e pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare, duke kufizuar mundësitë e tyre për t’u zgjeruar në tregje të huaja.

Raporti rekomandon subvencionimin e tarifave të anëtarësisë për bizneset në pronësi të grave dhe të pakicave etnike nga Qeveria e Kosovës, donatorët apo shoqatat e bizneseve; zbatimin e masave afirmative për t’i mbështetur këto biznese për të rritur pjesëmarrjen e tyre në shoqatat e bizneseve dhe për të siguruar mundësi më përfshirëse për rrjetëzim; si dhe organizimin e panaireve dhe ngjarjeve si takimet “Biznes-me-Biznes” (B2B) për të promovuar një mjedis biznesi më përfshirës dhe më të qëndrueshëm, derisa thekson nevojën për rritjen e përfaqësimit të ndërmarrësve gra dhe nga pakicat etnike brenda odave ekonomike dhe shoqatave të biznesit në mënyrë që të krijohet një ambient sa më gjithëpërfshirës.

Raportin e plotë e gjeni këtu.